Ministria e Shëndetësisë: “Vitin e kaluar 50 raste më pak me tuberkuloz”
Organizata Botërore e Shëndetësisë, dje, në Ditën Botërore të Tuberkulozit, e ka konsideruar Shqipërinë si një vend me sëmundshmëri të ulët të tuberkulozit (TB) dhe me tregues të kënaqshëm epidemiologjik. Ndërkohë që edhe sipas Zhaneta Tomçinit, zëdhënëse e Ministrisë së Shëndetësisë, pohohet e njëjta gjë. Për këtë sëmundje ajo sqaroi se situata epidemiologjike e TB-së në vendin tonë karakterizohet nga një incidencë e ulët. Tomçini bëri të ditur se për vitin e kaluar incidenca ka qenë 13 raste të reja me TB, ose gjithsej 450 raste. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, këto shifra tregojnë se për vitin 2007 ka pasur 50 raste më pak me tuberkuloz se në vitin 2006. Zhaneta Tomçini u shpreh: “Rezistenca bakteriale është në shifra mjaft të ulëta, nën 2 për qind dhe është më e ulët se shumë vende të Europës. Rezultatet e mjekimit janë të mira, mbi 85 për qind dhe arrin objektivin e OBSH-së”.
25 Mars 2008