E Diel, 1 Nëntor 2026

PS u bashkohet protestave të Orikumit për pronat

Organizimi Deputetët e majtë marrin pjesë në tubimin e radhës

Protesta e parë e PS-së së Vlorës është ndalur në Orikum, aty ku për më shumë se një vit, banorët po protestojnë për pronat e tyre. Rreth 200 banorë dhe militantë të PS-së janë mbledhur paraditen e djeshme përpara Bashkisë së Orikumit, ku të rrethuar dhe nga forca të shumta policore kanë protestuar për votat e vjedhura, si dhe për tokat që po u grabiten. “Ne nuk do të lejojmë që të ndërtohet në këto toka, si dhe të na i marrin. Ne i kemi bërë dhe i bëjmë thirrje Kryeministrit që është shurdhuar jo fizikisht, por politikisht, që të marrë në konsideratë protestën tonë. Ai është mashtruesi më i madh, para dy vitesh në fushatë na kanë thënë se: Karaburuni është i juaji dhe se tokat e Orikumit do t’i merrni. Të gjitha këto që ai ka thënë janë mashtrime. Ne nuk duam lëmoshë, por duam vetëm që të na njohë pronën që na e ka dhënë ligji nr.7501”, ka thënë një prej banorëve. Ndërsa deputeti i PS-së për Vlorën, Eltar Deda, është shprehur në mbështetje të kërkesave të banorëve. “PS nuk mund të rrijë pa ju mbështetur juve, pasi shumë nga ju janë hequr dhe nga puna që kur u vodhën zgjedhjet e qershorit. Por ne jemi këtu edhe për ngritjen e çmimeve, rritjen e papunësisë. Jemi përkrah jush dhe për problemin më jetik që keni: vjedhjen e tokës suaj nga qeveritarët. Në këto vite pushtetarët kanë grabitur toka dhe nuk kanë menduar aspak për ju. Ky është objektivi i kësaj mazhorance dhe i Berishës, pasi i gjithë bregdeti është zaptuar nga dhëndri i Sali Berishës. Tokat që nga Semani deri në Konispol janë në pronësi të rrethit biologjik të Sali Berishës, prandaj ne jemi në mbështetjen tuaj që janë shumë thelbësore për ju”. Më pas protestuesit kanë kaluar në këmbë përgjatë bulevardit të Orikumit për t’u ndalur në rrugën kryesore që lidh Vlorën me Himarën. Forca të shumta policore i kanë ndaluar dhe nuk kanë lejuar bllokimin e aksit rrugor. Më pas protestuesit janë shpërndarë qetësisht.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›