E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjirokastër, greva mbyll dyert e konsullatës greke

Ndërprerja e shërbimeve vë në vështirësi serioze bizneset

Në përkrahje dhe solidarizim me grevën e përgjithshme të sektorit publik në Greqi, personeli i Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Greqisë në Gjirokastër ka ndërprerë punën. Për shkak të mungesës së informacionit është e vështirë për të përcaktuar ditën e fillimit të grevës nga personeli diplomatik dhe administrativ i kësaj konsullate, pasi ndonëse veprimtaria konsullore për lëshimin e vizave dhe legalizimin e dokumenteve të “homogjeneve” që kërkojnë nënshtetësi greke është ndërprerë qysh para festës së Pashkëve, edhe pas festës dyert e saj kanë qenë të mbyllura. Qindra qytetarë me kombësi shqiptare dhe greke që kanë nevojë për shërbime të ndryshme konsullore paraqiten çdo ditë para konsullatës, por për shkak të kësaj greve ata janë larguar për t’u kthyer përsëri një ditë më pas. Numri i shtetasve shqiptarë që rrinë në pritje për të aplikuar për viza “Shengen”, për të marrë pasaportat me këto viza, apo për të legalizuar dokumentet ka ardhur duke u rritur dhe sidomos në orët e mëngjesit para konsullatës greke në sheshin e “çerçizit” krijohet konfuzion, duke sjellë edhe reagime të ndryshme. Askush nga përfaqësuesit e konsullatës greke nuk ka dhënë shpjegime për reagimin e qytetarëve shqiptarë, të cilët qëndronin në pritje me shpresën e ndërprerjes së grevës së paparalajmëruar nga ana e stafit të përfaqësisë diplomatike greke. Burime që i referohet stafit shqiptar të konsullatës greke në Gjirokastër thanë se greva e tanishme ka qenë e paparalajmëruar qysh në fillim të vitit, kur nga ana e tyre u bë një solidarizim spontan me sindikatat e pavarura të punonjësve të sektorit publik që nisën atëherë protestat në Greqi. Por, gjithsesi, nuk pritej që greva të vazhdonte kaq gjatë, pasi bëhet fjalë për një institucion diplomatik dhe pasojat e grevës rëndojnë mbi nënshtetas dhe qytetarë jogrekë. Kjo grevë ka për qëllim të shtojë presionin ndaj qeverisë së Athinës për mosuljen e pagesave për punonjësit e sektorit publik, ku hyn edhe personeli i shërbimit të jashtëm. Ndërkohë që veprimtaria për lëshimin e vizave është ndërprerë, kanë nisur reagimet e para nga përfaqësuesit e biznesit dhe fushave të tjera që janë të varur nga pajisja me viza. Një shofer kamioni, përfaqësues i një firme të njohur importi që po pret prej 12 ditësh të marrë një vizë, tha se jo vetëm kompania ku ai punon, por edhe firma e kompani të tjera të importit, eksportit, transportit, telekomunikacionit janë të bllokuar nga mungesa e vizave dhe bizneset e tyre po pësojnë humbje të konsiderueshme. Ndërkaq, grumbullim qytetarësh që presin para konsullatës greke vërehen në orët e paradites. Më pas njerëzit shpërndahen për t’u rikthyer sërish të nesërmen, me shpresë se greva e diplomatëve grekë do të ndërpritet.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›