Marinari i tretë mbetet në anije
I treti mbetet në anije. Njëri nga tre marinarët që pritej të mbërrinte ditën e hënë në atdhe nuk ka mundur të nisë fluturimin nga Tripoli drejt Romës e më pas drejt Rinasit. Problemi me emrin në biletë nuk është zgjidhur dhe Juriges Omeri u është bashkuar pjesëtarëve të tjerë të ekuipazhit që pas kthimit të mekanikut Arjan Domi dhe kuzhinierit Kastriot Abazaj ka mbetur me nëntë veta. Emrin e rezervuar për fluturim bashkë me dy të parët e kishte Mehmet Sylhasani, por kapiteni dhe të tjerët kur iu kërkuan emra vlerësuan kthimin e marinarit Omeri dhe më pas të anëtarëve të tjerë, pa e ditur që biletat ishin të rezervuara. Edhe shtyrja njëditore e nisjes së tij nuk arriti ta zgjidhë problemin, duke e kthyer atë sërish në anijen “Brustel”. Ndërkohë mësohet se kthimi i të tjerëve do të jetë në varësi të mbërritjes së marinarëve që do të zëvendësojnë ekuipazhin dhe rinisin lundrimin në det. Më 21 mars të këtij viti, 11 pjesëtarët e ekuipazhit të anijes iu drejtuan Ministrisë së Jashtme nga Porti Misratah në Libi, duke kërkuar që të zgjidhë problemin e riatdhesimit të tyre, në kushtet e vështira në të cilat ndodheshin dhe faktit që ishin në një shtet të huaj, ku Shqipëria nuk ka përfaqësi diplomatike. “Qysh prej më shumë se 6 muajsh, ekuipazhi i anijes nuk është paguar dhe kjo ka sjellë vështirësi ekonomike të theksuara në familjet tona, si dhe gjendje morale dhe psikike të rënduar të ekuipazhit. Mbetemi me shumë shpresë që sa më shpejt të jetë e mundur të kthehemi pranë familjeve tona. Nuk kemi mundësi financiare për përballimin e shpenzimeve të riatdhesimit”, thuhet në kërkesën e ekuipazhit drejtuar Ministrisë së Jashtme. 20 ditë më pas, kthimi i marinarëve ka nisur. Dy të parët mbërritën pranë familjeve të tyre pasditen e së dielës dhe të tjerët presin me ditë kthimin.
#