Shqiptarët, më pak të ardhura
Kur duhen edhe 24 orë nga nisja e miratimit nen për nen të buxhetit të ri në Kuvend, socialistët ngrenë shqetësimet mbi krizën ekonomike në vend. Deputeti i PS-së, Ilir Beqja, u shpreh dje se buxheti i shtetit i vitit 2010 ishte dhe është një buxhet i krizës dhe i varfërimit të shqiptarëve. Ndryshimet në buxhet vërtetojnë se vendi është në krizë. “Në 6-mujorin e parë 2010, të ardhurat në buxhetin e shtetit janë rritur me 3,6 për qind. Ekzaktësisht sa inflacioni mesatar 6–mujor. Pra, rritja reale e ekonomisë është zero. Deficiti 6–mujor ka arritur në 160 milionë dollarë. Mosrealizim ka në çdo zë të të ardhurave”, tha Beqja. Sipas anëtarit të Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, ata që e vuajnë më shumë krizën janë buxhetet familjare. Të ardhurat personale të shqiptarëve janë ulur me 8.9 për qind krahasuar me një vit më parë. “Kriza ka sjellë varfërim dhe buxheti i ndryshuar e thellon këtë varfëri. Kësti mujor i ndihmës ekonomike ka rënë në 3,690 lekë në muaj, sipas informacioneve zyrtare”, tha deputeti i PS-së.
#