Mungesa e të ardhurave penalizon bizneset
Dështimi me planin, doganat dhe tatimet hartojnë “listën e zezë” me gjoba
Mungesa e të ardhurave në buxhet ka rritur presionin e organeve të fiskut ndaj bizneseve. Hapësirat që jep ligji i procedurave tatimore dhe kodi doganor po përdoren masivisht për të plotësuar diferencën që mungon nga plani i të ardhurave. Pas tatimeve, tashmë dhe doganat kanë hartuar “listën e zezë” me subjektet që duhet të shlyejnë detyrimet e prapambetura. Skema e sigurimit të të ardhurave kalon përmes Kontrollit të Lartë të Shtetit, raportet e të cilit përdoren nga dogana si mjet për të vjelë detyrimin. Aktualisht janë në listë mbi 180 subjekte të mëdha, të cilat duhet të paguajnë detyrimet (gjobat), vlera e të cilave arrin në disa miliona dollarë.
Të dhënat e fundit nga tatimet dhe doganat nuk paraqesin një situatë pozitive me realizimin e planit. Shkak është bërë kriza ekonomike, e cila ka bllokuar me mijëra biznese, duke mos mundur të sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për buxhetin e shtetit.
Dje, grupe të ndryshme tatimore kanë kryer kontrolle për vendosjen e kasave fiskale. Ndryshimi i fundit ligjor me pajisjet fiskale rrit tej mase shkallën e ndëshkimit, deri në mbyllje të aktivitetit. Deri në muajin nëntor 2009, tatimet kishin vendosur rreth 700 gjoba sa i takon kasave fiskale.Më rëndë duket situata në administratën tatimore, e cila për vitin 2009, i shkaktoi buxhetit të shtetit një mungesë të ardhurash në masën e rreth 35 milionë dollarëve. Doganat kanë përpiluar një listë me biznese importuese, të cilat në vitet 2007-2008, nuk paskan derdhur në masën e duhur detyrimet doganore. Bëhet fjalë për referencat, mjeti që godet “ligjërisht” biznesin, për të cilin qeveria nuk e ka marrë asnjëherë mundimin për ta zgjidhur si problem.
Shifrat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se mesatarisht në buxhetin e shtetit sigurohen rreth 20 milionë dollarë të ardhurash nga gjobat. Vetëm në vitin 2009, qeveria duhet të ketë siguruar dyfish të ardhura, pasi e gjithë periudha është shoqëruar me aksione të njëpasnjëshme. Kujtojmë rastin e tregtarëve të karburanteve, të cilët për mungesë të kasave fiskale morën në total rreth 50 milionë dollarë gjoba, të cilat më pas u reduktuan për shkak të urdhrit të ministrit të Financave për rishikimin e masës.
#