"Pushtet mediokër pa kufi dhe varfëri pa kufi"
Përfytyroni ministrat e Berishës me radhë, ish - ministrat e tij, apo ministrat e Nanos, ish-et e tij, deputetët, ish-deputetët e me radhë. A është e mundur mes tyre të gjesh ndonjëherë personalitet e humanizëm? Të gjesh mes tyre dhe mes fiseve të tyre, varfëri dhe probleme strehimi, punësimi a shkollimi, është e mundur? Vështirë pra të gjesh njerëz moralisht të pastër pushteti në Shqipëri. Edhe ata më të ndershmit, nëse shtrydhen fort, lëng të zi do pikojnë; politikanë e drejtorë, ministra, doganierë, militantë, drejtues tenderash, të gjithëve ju është bërë kometë ndershmëria; ju është bërë e pakapshme, e largët, e panevojshme. Hendeku mes tyre dhe armatës përposhtë është i pashmangshëm. Ky hendek është mallkimi shqiptar. Mbretërit dhe monarkët, po shtohen. Ata thjesht janë të krahut tjetër. Hajdutët gjithashtu. Askush nuk shqetësohet. Ka veç fjalime me fraza "mund" edhe "duhet", buzëqeshje në ekran, pushtet mediokër pa kufi dhe varfëri pa kufi. Ka kostume të mëdhenj Ekstra-Extra-Large (XXL) të pushtetit, por nuk ka njerëz fisnikë për ato.