E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i ri i Serbisë, balotazh Tadiç-Nikoliç

Radikali Nikoliç sipas exit-poll kishte marrë 39,5% të votave, ndërsa Tadiç 35%
Zgjedhjet presidenciale në Serbi duket se kanë përfunduar në balotazh. Radikali Nikoliç sipas exit-poll kishte marrë 39,5% të votave, ndërsa Tadiç 35%, duke mos arritur asnjëri kuotën e duhur për të fituar. Të dielën e ardhshme pritet të mbahen sërish zgjedhjet për të mësuar Presidentin e ri të Serbisë.
Pjesëmarrja
Pjesëmarrja në zgjedhjet presidenciale në Serbi ka qenë e lartë, duke kapërcyer kështu opinionet e mëhershme së pjesëmarrja do të ishte e ulët, tek afro 40%. Deri në orën 20.00 mendohet që pjesëmarrja ka kapur shifrën e 60%-it. Për postin e Presidentit në Serbi kanë konkurruar nëntë kandidatë. Dy kandidatët kryesorë në garë janë Presidenti aktual properëndimor, Boris Tadiq, që kërkon anëtarësim në BE, dhe lideri i partisë më të madhe politike të Serbisë, Tomislav Nikoliq. Ky i fundit drejton Partinë Radikale Serbe të nacionalistëve të vijës së ashpër dhe është pro-rus. Për t'u bërë president, fituesi duhet të marrë më shumë së 50% të votave. Vetë zoti Tadiç mendon se rezultatet do të jenë shumë pranë. "Kjo votë është pjesa e parë e një ndeshjeje",- tha ai. "Gjysma tjetër, në 3 Shkurt do të jetë një shans për të vendosur për jetë më të mirë, paga më të mira, siguri më të madhe". Këto janë zgjedhjet e para presidenciale që prej kohës kur Serbia është bërë shtet i pavarur, pas largimit të Malit të Zi nga bashkësia shtetërore. Në listat e votuesve u regjistruan mbi 6 milionë e 700 mijë qytetarë me të drejtë vote, duke përfshirë edhe mbi 110 mijë qytetarë në Kosovë. Zgjedhjet i përcollën vëzhguesit e vendit dhe 23 përfaqësues të OSBE-së, 3 nga Asambleja Parlamentare e Bashkësisë së Shteteve të Pavarura, 8 nga Duma Ruse dhe përfaqësues të Ambasadës së Sllovakisë në Beograd. Komisioni Zgjedhor Republikan edhe përkundër Vendimit të Gjykatës së Lartë të Serbisë e ka refuzuar kërkesën e Ambasadave të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, për vëzhgimin e zgjedhjeve me përfaqësues të tyre.
Shqiptarët e Luginës së Preshevës bojkotojnë zgjedhjet
Pavarësisht se qendrat e votimit në Luginën e Preshevës u hapën që në orën 07:00 të mëngjesit, shqiptarët që banojnë në këto zona nuk janë paraqitur për të votuar. Ndërsa serbët në Mitrovicë u janë drejtuar që herët në mëngjes kutive të votimit, edhe në Luginë të Preshevës sot po mbahen zgjedhjet presidenciale të Serbisë ku sipas agjencive të rajonit rreth 75 mijë votues, shumica prej tyre shqiptarë, deri tani po bojkotojnë procesin zgjedhor.
Sipas Behlul Selimit, koordinator i trupit zgjedhor edhe në Presheve në ora 07:00 të mëngjesit janë hapur të gjitha vendvotimet, ku qytetarët kanë mundësinë të përcaktohen për njërin nga 9 kandidatët e mundshëm për kryetar të Serbisë. Qendrat e votimit do të mbyllen në orën 20:00.
RTK citon se gjatë vizitës që është bërë në shumë vendvotime, nuk është paraqitur madje asnjë votues i cili do të hapte zyrtarisht vendvotimin. Ndërkaq në vendvotimet e pakta me popullsi serbe, votimet po zhvillohen në mënyrë të rregullt.
Në disa nga qendrat e votimit ka edhe anëtarë të komisioneve zgjedhore të përkatësisë shqiptare, të caktuar nga partitë hungareze që kanë kandidatin e tyre për kryetar të Serbisë.
Sipas të njëjtave burime, shqiptarët e Luginës së Preshevës po i bojkotojnë zgjedhjet e sotme presidenciale në shenjë pakënaqësie me pozitën e tyre politike në këtë shtet, si dhe qëndrimin shtetëror ndaj çështjes shqiptare në Luginë të Preshevës dhe po ashtu qëndrimin ndaj Kosovës.
Bojkotet në zgjedhje si në Serbi dhe Kosovë nuk janë të rralla. Me 17 Nëntor në zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme në Kosovë, ishte pakica serbe që jeton në trojet kosovare që zgjodhi të bojkotonte zgjedhjet.
PDSH, 130 zyrtarë japin dorëheqjen
Mbi 130 funksionarë të Partisë Demokratike Shqiptare në pushtet kanë ofruar dorëheqje.
Dorëheqje kanë ofruar ministrat, zëvendësministrat, deputetët, drejtorë të ndërmarrjeve publike, si dhe funksionarë të tjerë. Kjo, sipas burimeve partiake, nuk do të thotë edhe largim të Partisë Demokratike Shqiptare nga qeveria. Kreu i PDSH-së, siç bëhet e ditur jo zyrtarisht, ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj punës së disa funksionarëve të vet.
PDSH ka shqyrtuar edhe rezultatet e fundit të Institutit Nacional Ndërkombëtar. Sipas tyre, PDSH ka humbur përkrahje mes votuesve. Sipas anketës së IRI-t, PDSH ka 5% mbështetje te votuesit, ndërsa kundërshtari politik, Bashkimi Demokratik për Integrim ka mbështetjen e 11% të votuesve në Maqedoni.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›