Operacionet në QSU, vetëm 2 shtretër në sallat e zgjimit
ZIRINA LLAMBRO
Për çdo pacient që ka kryer një operacion është domosdoshmëri qëndrimi disa orë në sallën e zgjimit. Kjo derisa t’i dalë anestezia.Në këtë hark kohor, mjekët anesteziologë duhet të ndjekin të sëmurin orë pas ore, për të parë gjendjen e tij. Kjo për të shmangur aksidentet e mundshme pas dhe gjatë daljes së narkozës. Probleme me frymëmarrjen e komplikacione të tjera mund t’i marrin jetën të sëmurit. Por në spitalet tona neglizhenca në këtë drejtim është e pashmangshme. Nëse në klinikat kirurgjikale të qendrës spitalore “Nënë Tereza”, kryhen mesatarisht 10 operacione në ditë, në sallën e zgjimit mund të qëndrojnë vetëm 2 të sëmurë. Të tjerët ose transferohen menjëherë në dhomat e pavijonit, ose zbriten në reanimacion. Protokolli që zbatohet në të gjitha vendet e Evropës, tek ne shkelet me të dyja këmbët. Në mungesë të shtretërve dhe ambienteve të tjera të zgjimit, vetë mjekët kirurgë e quajnë krejtësisht normale, që i sëmuri të transferohet direkt nga salla e operacionit në pavijon. Këtu bëjnë përjashtim të sëmurët rëndë. Por po t’u referohesh statistikave, për një pacient, dalja nga gjendja e anestezisë, mund të jetë fatale. Sipas raporteve të INSTAT mbi vdekshmërinë amtare, anestezia renditet si shkaku i dytë pas hemorragjisë për vdekjen e nënave gjatë lindjes. Shpesh në pikëpyetje është vënë edhe cilësia e medikamenteve, që përdoren për vënien në gjumë të së sëmurëve gjatë operacionit. Në spitalet e vendeve të BE, por edhe në ato të rajonit, çdo pacient që del nga operacioni ka në dispozicion një shtrat në sallën e zgjimit. Nëse kryhen 5 operacione në sallë, janë të lirë 5 shtretër. Kjo edhe në rastet kur ndërhyrjet përfundojnë në orë të ndryshme të ditës. Tek ne ndodh e kundërta. Sallat e zgjimit ekzistojnë, por jo të gjithë pacientët kanë mundësi të qëndrojnë aty, pasi ambientet e këtyre sallave janë të pamjaftueshme për fluksin e operacioneve që kryhen në ditë nga bluzat e bardha. Ndoshta numri i shtretërve ka qenë i mjaftueshëm një dekadë më parë, ku ndërhyrjet që kryheshin në QSU kanë qenë disa herë më të ulëta. Sot kur spitali “Nënë Tereza” dyndet nga të gjithë të sëmurët e rretheve, situata është problematike. Sigurisht pasojat i vuajnë vetë ata. Madje, nuk është çudi që gjatë kohës kur operohet një i sëmurë të mbahet brenda në sallë edhe një pacient tjetër, i cili e ka kryer tashmë operacionin dhe mjekët presin t’i dalë anestezia. Sipas të dhënave, që vijnë prej studimeve të shoqatave jo qeveritare, tre janë masat kryesore, që do të çonin në një ulje me 70% të aksidenteve të anestezisë. Më e rëndësishmja mbetet konsulta para anestezike, që duhet të zhvillohet disa ditë para operacionit dhe që lejon evidentimin e masave të veçanta për pacientin. Pas saj, kalimi i detyrueshëm në sallën e zgjimit lejon evidentimin e parakohshëm të aksidenteve post-operatore. Një tjetër masë është edhe monitorimi i funksioneve respiratore dhe hemodinamike. Këto masa bëjnë pjesë në protokollet e trajtimit të pacientit dhe duhet të zbatohen në të gjithë botën.
Vdekjet nga anestezia
Sipas të dhënave nga Instituti i Shëndetit Publik, vdekjet vjetore për shkak të anestezisë janë tepër të larta. Rreth 60% e aksidenteve të anestezisë ndodhin gjatë ndërhyrjes, ndërsa 40% gjatë zgjimit. Ndërkaq, INSTAT për shkaqet e vdekshmërisë amtare e renditin anestezinë në faktorin e dytë, që ndikon në humbjen e jetës së nënave gjatë lindjes. Në spitale mungojnë konsultat e mirëfillta para-operatore me anestezistin mungojnë në shumë spitale të vendit. Mungesa e konsultave paraprake mund t’i kushtojë shtrenjtë një pacienti, që ka probleme të tjera shëndetësore, ku më të shpeshtat janë ato me zemrën e mushkëritë, apo edhe defektet në nofulla, kur nuk mund të aplikohet anestezia totale. Në këto raste ndërhyrja kryhet me anestezi lokale.