E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër të rinj blinin mallra në fshatra me euro fals

01/06/2010 Arrestohen, policia hetime për prejardhjen e kartëmonedhave të falsifikuara

ELBASAN- Kishin vendosur të mos binin në sy duke blerë mallra në fshatra me para fals, por kanë rënë shumë shpejt në prangat e policisë. Burime zyrtare nga sektori kundër krimit ekonomik-financiar bëjnë të ditur se janë zbuluar një sasi rreth 600 eurosh fals dhe janë arrestuar 4 shtetas.

Të arrestuarit

Pleurat Mustafai 26 vjeç me banim në lagjen nr. 6 në Kavajë, Elvis Shaholli 26 vjeç, Elton Kola 28 vjeç me banim në Elbasan dhe Tahir Belba 22 vjeç me banim në lagjen “Sharrë” të Kavajës janë arrestuar nga sektori kundër krimit ekonomik-financiar, pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë hedhur në qarkullim para të falsifikuara. Kështu gjatë ditëve të fundit në qytetin e Cërrikut ata kanë blerë me 100 euro karburant në hyrje të qytetit. Ndërkohë më 29 maj kanë blerë me 100 euro të tjera në qytetin e Beleshit mallra të ndryshme dhe më pas janë ndalur rrugës në fshatin Shirgjan ku në të njëjtën ditë kanë përdorur edhe 100 euro të tjera duke blerë sërish mallra në një dyqan shumice në këtë fshat. Menjëherë pas informacioneve të grumbulluara nga shitësit që kanë zbuluar paratë e falsifikuara agjentët janë vënë në kërkim të shtetasve. Ata kanë bërë të mundur arrestimin në një kohë rekord të 4 të dyshuarve dhe janë bllokuar gjithashtu edhe dy mjetet me të cilat ata qarkullonin një Ford veturë me targa EL849A dhe një Pezho me targa KJ9175A. Policia deklaroi se kanë nisur hetimet për të zbardhur prejardhjen e parave të falsifikuara. Pas përfundimit të ekzaminimit të eurove janë duke u marrë në pyetje katër të rinj për më shumë detaje rreth prodhimit dhe hedhjes në qarkullim të tyre. Gjithashtu atyre iu janë bllokuar edhe rreth 10 mijë lekë që kishin në xhepa teksa i janë nënshtruar kontrollit nga policia. Shtetasit do të përballen me akuzën falsifikimi i kartëmonedhave, ndërsa janë bllokuar mjetet dhe mallrat që ata kishin blerë me paratë fals.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›