E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta: “Nuk hyjmë në zgjedhje për të dalë të tretët, por për t’i fituar ato”

Kreu i LSI-së: “Nëse nuk fitojmë 35 deputetë, rishikoj pozicionin tim”.

Robert Goro

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, në një intervistë ekskluzive për gazetën shqiptare “Tribuna”, e cila botohet në Greqi, shprehet i sigurt se partia e tij do të jetë ekuilibruesja kryesore e zgjedhjeve të ardhshme dhe pjesëmarrja e LSI-së në një koalicion eventual qeveritar do të jetë garanci për një qeverisje progresive. Ai është mjaft optimist për një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, edhe në kushtet e luftës që bëhet nga PS-ja dhe thekson me domethënie se, “ne nuk mund të hyjmë në këto zgjedhje për të dalë të tretët, sepse kështu na duket se do të përsërisnim veten”. Pas grevës së urisë muajin e kaluar, “aksionet” e kësaj partie dhe interesimi i opinionit të brendshëm dhe ndërkombëtar për çështjet e Kodit Zgjedhor janë rritur, ndërkohë që ditë më parë, zoti Meta i dërgoi kryetarit të PS-së, Edi Rama, një letër me ftesën për takim, duke shfrytëzuar hapësirën që krijoi kthimi i Kodit nga ana e Presidentit të Republikës. Sa i përket marrëdhënieve të acaruara me PS-në, kreu i LSI-së pohon se ato nuk kanë të bëjnë me faktin se kush është në krye të Partisë Socialiste, por me qëndrimet e kësaj partie për çështjet më të rëndësishme të vendit.

Z. Meta, ka kaluar më shumë se një muaj që kur ju zhvilluat grevën e urisë. A e keni evidentuar impaktin që pati në opinionin e gjerë shoqëror dhe politik kjo lëvizje?

- Kjo është evidentuar si gjatë periudhës së grevës, përmes përkrahjes së pëditshme të vazhdueshme që kemi pasur nga mijëra qytetarë para Parlamentit, por edhe nga përkrahja shumë e madhe që morëm nga ish-presidentët Moisiu dhe Meidani dhe shumë personalitete të tjerë të shquar të shoqërisë civile, të opinionit publik, intelektualë e analistë nga më të njohurit e vendit, të cilët u solidarizuan me qëllimin e grevës, që ishte pikërisht garantimi i një Kodi që siguron zgjedhje të ndershme dhe të lira, larg marifeteve që synojnë të deformojnë vullnetin e shqiptarëve apo të cenojnë integritetin e zgjedhjeve të ardhshme. Natyrisht, edhe pas grevës së urisë, ne kemi ndier një impakt të gjerë brenda dhe jashtë vendit. Pas grevës së urisë, unë u prita nga komisioneri i Bashkimit Europian, zoti Olli Rehn, pikërisht si rezultat i këtij sensibilizimi që kishte sjellë qëndrimi ynë për kodin. Njëkohësisht ka patur reagime nga personalitete të ndryshme europiane: çdo ditë eurodeputetë reagojnë pasi njihen me problemet e këtij kodi. Dhe vetë Presidenti i Republikës reagoi, me shumë takt dhe elegancë do të thosha, pasi kuptohet që Presidenti mund t’i kthejë ligjet vetëm për shkak të përputhshmërisë ose jo me Kushtetutën, por unë besoj se kthimi i këtij Kodi nga ana e Presidentit ishte një tregues i nxitimit dhe papjekurisë së Kodit dhe njëkohësisht ishte një shans dhe një mundësi që Presidenti ofroi midis palëve për të arritur ato standarde që u kontestuan gjatë gjithë këtij procesi. Dhe vetë fakti që kryeministri Berisha dhe ministri i Jashtëm Basha kohët e fundit kanë deklaruar publikisht se kanë marrë reagime dhe shqetësime nga partnerët ndërkombëtarë për çështjen e Kodit dhe se do të dëshironin që të kishte një zgjidhje brenda opozitës për të kapërcyer problemin e standardeve, sidomos lidhur me pjesën e administrimit, tregon pra që impakti ka qenë dhe është tepër i gjerë dhe që Kodi ishte një produkt tepër i nxituar, jo transparent dhe problematik.

Ndërkaq, Partia Socialiste nuk duket e predispozuar që të bëjë në Kod ato ndryshime që ju kërkoni...
Unë mendoj se tashmë zoti Rama është identifikuar si problemi kryesor i zgjedhjeve dhe i standardeve që duhet të arrijë Kodi. Qëllimet e tij janë tepër të ngushta, thjesht për të dëmtuar, sipas konceptit të tij, sa më shumë LSI-në, gjë që nuk mund të ndodhë; duke marrë njëkohësisht një faturë tepër të madhe sa i përket integritetit të zgjedhjeve të ardhshme. Sepse nuk ndodh në asnjë vend të botës që një parti kryesore e opozitës, siç është rasti i PS-së në vendin tonë, të ulë garancitë e zgjedhjeve dhe të krijojë probleme të mëdha brenda opozitës. Megjithatë, kjo tregon gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet lidershipi i kësaj partie, që vepron dhe në kundërshtim me historinë e saj, pasi dihet që PS-ja ka një histori pozitive në të kaluarën, në mbrojtje të zgjedhjeve, të demokracisë dhe nuk ka qenë protagoniste e cenimit të tyre.

Megjithatë, ma merr mendja se ju të gjitha këto që më thatë i dinit në momentin që i dërguat letrën e fundit zotit Rama. A prisni ndonjë përgjigje prej tij?

Mendoj se letra që i dërgova zotit Rama është një detyrim që unë ndiej për të shfrytëzuar çdo moment që ka mbetur në dispozicion, për shkak të kthimit të Kodit nga ana e Presidentit. Sepse të gjitha mundësitë ekzistojnë për të bërë ndërhyrjet dhe riparimet e duhura dhe është tregues i vullnetit tonë tepër pozitiv që çështje të tilla të zgjidhen në të mirë të standardeve dhe të vendit dhe që opozita të mos marrë përgjegjësi për cenimin e standardeve të zgjedhjeve. Megjithatë, duket qartë që nga ana tjetër ka një qëndrim tepër refraktar, i cili mendoj se do të jetë me pasoja shumë të mëdha për ta në të ardhmen.

Ju mendoni se të dyja partitë e mëdha po bashkëpunojnë thjesht për të “hequr qafe” partitë e vogla dhe që të kenë një dualizëm në pushtet, apo ka dhe interesa të tjera që fshihen mbrapa këtij bashkëpunimi, ashtu siç flitet, interesa biznesi, interesa korruptive?...

Nuk mendoj se kanë për qëllim të heqin partitë e vogla, sepse fakti që ato pranojnë përfaqësimin në komision të PSD-së dhe Partisë Republikane nuk tregon se janë kundër partive të vogla, por ato kërkojnë parti satelite, parti të nënshtruara dhe kërkojnë të eliminojnë alternativat e ndryshme nga të cilat ndihen të konkurruara. Dhe njëkohësisht të mbyllin sistemin politik në vend për hir të interesave të mbyllura, pra për interesa korruptive, për interesa abuzive dhe sot pothuajse si PD-ja, si PS-ja, janë si dy pika uji jo vetëm në drejtim të konceptit që kanë për shtetin, i cili është në thelb autoritar dhe shprehet më së qarti në ndryshimet që iu bënë Kushtetutës në unison nga Berisha e Rama, një koncept autoritar për demokracinë që shprehet te Kodi dhe sidomos tek listat e mbyllura, ku tashmë deputetët do të humbasin çdo mundësi për t’u testuar nga zgjedhësit drejtpërdrejt, por thjesht do të rreshtohen në lista sipas shkallës së servilizmit ndaj kryetarëve. Dhe njëkohësisht edhe përsa i takon ekonomisë së tregut, si nga Qeveria, edhe nga Bashkia e Tiranës që drejtohet nga kryetari aktual i PS-së, ekziston një frymë monopolizimi dhe klientelizmi. Pra, janë dy forca politike që përfaqësojnë një model të përbashkët autoritar, por edhe korruptiv, do të thosha.

Në rast se ndodhte një mrekulli dhe PS-ja pranon sugjerimet tuaja për Kodin Zgjedhor dhe më pas ju ofron bashkëpunim për zgjedhjet, ju do të pranoni?

Unë mendoj se çështja e qëndrimit të PS-së për Kodin nuk është një detyrim ndaj LSI-së, por një detyrim ndaj zgjedhjeve. Së dyti, është një investim që bëhet për të krijuar një klimë më të mirë edhe brenda opozitës. Ndërsa çdo mungesë reagimi, padyshim që e thellon hendekun dhe tregon qartë që Partia Socialiste dhe lidershipi i saj nuk e ka sfidën kryesore me Berishën, ndaj të cilit ka qëndruar e nënshtruar për gati një vit dhe ka bërë gjithçka që ai ka kërkuar: edhe pse Berisha është përgjegjës për tragjedinë shtetërore të Gërdecit, për të cilën PS-ja nuk është ndier aspak, por problemin kryesor PS-ja dhe në veçanti kryetari i saj – pse jam i bindur që anëtarët e PS-së nuk janë dakord me këtë filozofi -, problemin kryesor pra e ka me LSI-në, si një alternativë tepër konkurruese, tepër energjike dhe motivuese.

Ju keni lënë të kuptohet se parashikoni të fitoni më së paku 35 deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Në një farë mënyre kjo ju nxjerr ju partinë e tretë, ose, po të ndodhë ndonjë habi, mund të jeni dhe partia e dytë me një numër të tillë deputetësh. Megjithatë, në qoftë se dilni partia e tretë dhe asnjëra prej dy partive të tjera nuk arrin numrat e nevojshëm për të krijuar qeveri, ju do të bashkëpunoni me njërën nga dy partitë?

Më duket se jam shprehur qartë se në rastin më të keq unë parashikoj të paktën 35 deputetë dhe në rast se nuk arrihet ky objektiv unë do të shikoja pozicionin tim në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dihet që LSI-ja është forca e tretë në Shqipëri dhe këtë nuk e kundërshton dot askush, sepse është një realitet i provuar me vota. Por natyrisht që ne nuk mund të hyjmë në këto zgjedhje për të dalë të tretët, sepse kështu na duket se do të përsërisnim veten. Zgjedhjet janë një garë dhe kuptohet që ne synojmë të shkojmë shumë përpara. Natyrisht që janë zgjedhjet ato që do t’i japin vendin çdo force politike, përfshirë edhe LSI-në dhe ne do të lexojmë me shumë vëmendje vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe mbi bazën e atij vullneti ne do të përcaktojmë edhe vendimet tona për të ardhmen. Është e sigurt se në çdo rast, LSI-ja do të jetë garancia për një qeverisje progresiste të Shqipërisë pas vitit 2009. Pra, në çdo rast koalicioni ynë qeverisës nuk do të jetë një koalicion karrigesh, por do të jetë një koalicion programor.

Marrë nga gazeta “Tribuna”

21 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›