E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kater viktima ne vendin tone nga i ftohti

Një person është gjetur i vdekur paraditen e sotme buzë Lanës, pranë Urës së Ministrisë së Jashtme. Trupi i pajetë u gjet nga kalimtarë të rastit dhe pas lajmërimit të Policisë është bërë i mundur identifikimi i tij. Viktima quhet Alfred Talka. Ai ishte i moshës 37- vjeç, lindur në Korçë. Temperaturat e ulëta gjatë orëve të natës mendohet se kanë qenë shkak i vdekjes së tij. Nuk ka të dhëna për arsyet e udhëtimit të tij në kryeqytet, por mendohet se Talka ka rënë në gjumë gjatë natës dhe organizmi i tij nuk e ka përballuar të ftohtin. Trupi u gjet i pajetë, poshtë një prej pemëve, jo shumë larg urës. Do të jetë autopsia që do përcaktojë shkaqet e sakta të vdekjes, por mendohet se para se te binte në gjumë Alfred Talka, mund të ketë konsumuar sasi të konsiderueshme alkooli.
Një tjetër person ka humbur jetën për shkak të të ftohtit në Vlore. 62-vjecari nga Zvërneci, Lefter Balli u gjend i vdekur në një shtëpi, ku dhe punonte si roje. Viktima për shkak të të ftohtit është futur brenda për tu ngrohur. Ka ndezur qymyrin për t’u mbrojtur nga i ftohti, por nuk ka mundur të mbijetojë. Sipas hetimeve paraprake të policise, 62 vjeçari Lefter Balli është asfiksuar nga dioksidi i karbonit, i çliruar në dhomë.
Temperaturat e ulëta, që shënuan -10 gradë celcius janë bërë shkak i vdekjes së këtyre personave. Numri i të vdekurve nga i ftohti Siberian në vendin tonë arriti sot në 4 vetë. Ahmet Metallari dhe Lazer Pali jane dy personat e tjere që humben jetën, përkatësisht nga Korça dhe Shkodra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›