Katolikët e Europës, miratohet teksti i Ungjillizimit të ri
Asambleja Ipeshkvore e Europës mbyll punimet në Tiranë. Ipeshkvët: Ungjillizimi i ri është tashmë në veprim!
Asambleja Plenare e Këshillit të Konferencave Ipeshkvore të Europës (ÇEE), e cila u mbajt për herë të parë në Tiranë, ka mbyllur ditën e diel punimet, duke marrë një sërë vendimesh të rëndësishme, një ndër të cilat ka qenë edhe ai i Ungjillizimit të ri. Kjo ka qenë në fakt edhe tema kryesore e sesionit të 41 plenar të ÇEE, ndërkohë që vendi ynë nuk është zgjedhur pa domethënie si pikë takimi për presidentët e Konferencave Ipeshkvore të Europës. Sipas përfaqësuesve të asamblesë, zgjedhja e Shqipërisë, toka e martirëve, ka qenë në veçanti domethënëse për të trajtuar temën e Ungjillizimit të ri. Ka qenë një rast për të gjithë ipeshkvijtë e pranishëm për të kujtuar dëshminë e ofruar nga Kisha misionare shqiptare, dhe nga të gjitha kishat katolike të ritit oriental, nën regjimin komunist. Takimi ishte përgatitur mbi bazën e një anketimi të madh: të gjitha konferencat ipeshkvore i ishin përgjigjur një pyetësori, e një përmbledhje u është paraqitur pjesëmarrësve. Në përfundim doli se Ungjillizimi i ri është një prej shqetësimeve më të mëdha për ipeshkvijtë europianë, dhe një punë e rëndësishme është realizuar tashmë në mënyra të ndryshme: sinode dioqezane e reflektime në nivel të konferencave ipeshkvore, publikime dokumentesh (pothuajse në të gjitha vendet) e shumë aplikime praktike. Lidhur me domethënien e Ungjillizimit të ri, në raportin përmbyllës të punimeve të asamblesë thuhet: “Ungjillizimi është manifestimi i jetës dhe i vitalitetit të Kishës. Nuk duhet të kuptohet si një aktivitet baritor i thjeshtë, por si manifestimi i natyrës dhe misionit të saj. Ungjillëzimi i ri u drejtohet jo vetëm të krishterëve që janë larguar nga besimi, por të gjithëve. Ka si qëllim të shpallë Krishtin, Hyjin e vërtetë e njeriun e vërtetë, i kryqëzuar për të shlyer të gjitha të këqijat njerëzore, i ringjallur që të gjithë të kishim jetën. Të gjithë besimtarët, nëpërmjet pagëzimit të tyre, janë të thirrur për të marrë pjesë: familjet, të rinjtë që, në përgjithësi janë më të gatshëm për t’u bërë misionarë, por edhe famullitë, lëvizjet dhe bashkësitë e reja. Edhe katekeza dhe shkollat katolike duhet të bëhen gjithnjë e më shumë vende ungjillizimi. Sakramentet, së fundi janë vende të privilegjuara për të vënë në veprim këtë ungjillizim të ri. Bëhet fjalë edhe të kërkohen rrugë të reja për ungjillizimin, si për shembull teknologjitë e reja, interneti, rrjetet sociale. Megjithatë, e gjithë kjo është e mundur vetëm nëse, duke ndjekur shembullin e të krishterëve në Veprat e Apostujve, hapemi në mënyrë të re ndaj Shpirtit të Shenjtë: ‘Nuk do të ketë Ungjillizim të ri pa një Rrëshajë të re!’”.
Mons.Rino Fisichella, president i Këshillit Papnor për promovimin e Ungjillizimit të ri, i është drejtuar asamblesë, duke vënë në dukje që shumë europianë sot nuk dinë më asgjë për krishtërimin, dhe nëse fjala ‘krizë’ është shumë e përdorur aktualisht, duhet të shohim në këtë gjë një rast për t’u rritur. Sipas mendimit të tij, Ungjillizimi i ri është një mundësi që na ofrohet për të lexuar dhe interpretuar momentin aktual historik, në mënyrë që aktiviteti i zakonshëm i Kishës të bëhet i jashtëzakonshëm. “Me fjalë të tjera, jemi thirrur të jetojmë në mënyrë të jashtëzakonshme ngjarjen e zakonshme të jetës së Kishës, që është Ungjillizimi”, - është shprehur Mons.Rino Fisichella, duke kujtuar nismën e “Misionet e Metropoleve” që do të zhvillohen në 12 qytete të mëdha europiane gjatë Kreshmeve të ardhshme. Presidentët e Konferencave Ipeshkvore të Evropës janë takuar këtë vit në Tiranë, sipas ftesës së Imzot Rrok Mirdita, arqipeshkëv metropolit i Tiranë-Durrësit, për asamblenë e tyre vjetore plenare nga 29 shtatori deri më 2 tetor 2011. Presidentët e Konferencave Ipeshkvore të Europës kanë zgjedhur Presidencën e re të ÇEE për pesëvjeçarin 2011-2016. Në detyrën e presidentit është rizgjedhur për një mandat të dytë, kardinali Péter Erdő, arqipeshkëv i Esztergom-Budapest. Gjatë punimeve të asamblesë janë bërë takime edhe me disa nga autoritetet e politikës shqiptare, si Kryeministri i vendit, Sali Berisha, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli. Po ashtu janë realizuar takime edhe me autoritetet fetare të vendit, në të cilat është evidentuar një klimë e madhe përzemërsie, si dëshmi e marrëdhënieve të mira që ekzistojnë mes bashkësive të ndryshme fetare në vend. Një moment në veçanti i thellë ka qenë takimi me motrën françeskane, Maria Kaleta, që në fund të punimeve ka sjellë dëshminë e saj të krishterë nën regjimin komunist.