E Diel, 1 Nëntor 2026

Myslimanët pro regjistrimit, xhamia e re te Namazgjaja

SHKRUAN: Jonida Tashi 04-10-2011 14:11

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shprehet pro procesit të saponisur të regjistrimit të popullsisë, pasi myslimanët shqiptarë e ndjejnë veten krenarë për përkatësinë e tyre fetare dhe etnike, ndaj nuk duhet të ngurojnë në asnjë mënyrë që ta shprehin identitetin e tyre fetar dhe kombëtar. Megjithëse pak kohë më parë ky komunitet kishte kërkuar që nga formulari i regjistrimit të hiqeshin pikat e vetëdeklarimit të etnisë dhe fesë, sepse regjistrimi i popullsisë mbi baza etnike dhe fetare nuk i shërben integritetit dhe stabilitetit social dhe politik në Shqipëri, në mbledhjen e tij të fundit të Këshillit të Përgjithshëm, Komunitetit Mysliman inkurajon mbarë opinionin publik shqiptar në përgjithësi dhe qytetarët myslimanë shqiptarë në veçanti, që të ushtrojnë detyrën e tyre qytetare dhe ligjore. Por, krahas apelit për të mos e bojkotuar procesin e regjistrimit, drejtuesit e Komunitetit Mysliman përsëri nuk e kanë fshehur skepticizmin për realizimin e tij në mënyrë korrekte. Gjatë mbledhjes së zhvilluar në datën 2 tetor në ambientet e Medresesë së Tiranës, ndër të tjera, Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit Mysliman ka analizuar edhe zhvillimet që përcjellin ndjeshmëri të lartë tek besimtarët, qytetarët myslimanë dhe shoqëria shqiptare (si ajo e censusit), në përmbushje të detyrimit të qytetarit të lirë në një vend demokratik dhe me aspirata të larta. Lidhur me këtë çështje, Këshilli i Përgjithshëm ka deklaruar se: “Më datë 1 tetor 2011 ka filluar procesi i regjistrimit të popullsisë, i cili para disa kohësh ka marrë edhe formë të prerë ligjore. Duke qenë se të gjithë qytetarët e kanë detyrim plotësimin e pyetësorit të këtij censusi, me gjithë rezervat dhe skepticizmin për realizimin në mënyrë korrekte të tij, Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së inkurajon mbarë opinionin publik shqiptar në përgjithësi dhe qytetarët myslimanë shqiptarë në veçanti, të ushtrojnë detyrën e tyre qytetare dhe ligjore. Çdo qytetar shqiptar duhet ta ndjejë veten të lirë në shprehjen e përkatësisë së tij fetare dhe etnike. Myslimanët shqiptarë e ndjejnë veten krenarë për përkatësinë e tyre fetare dhe etnike, prandaj të mos ngurojnë në asnjë mënyrë ta shprehin identitetin e tyre fetar dhe kombëtar.” Komuniteti Mysliman i Shqipërisë do të tregojë gjithmonë ndjeshmëri të lartë ndaj çdo zhvillimi në interes të vendit dhe shoqërisë shqiptare. Në mbledhjen e tij të fundit, Këshilli i Përgjithshëm i KMSH-së ka konsistuar edhe anëtarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e zhvilluara në çdo myftini të Republikës së Shqipërisë për një mandat 4-vjeçar. Pas prezantimit dhe betimit të anëtarëve të rinj, u propozuan kandidaturat për organet drejtuese të KP-së, si kryetarin, kryesinë dhe komisionet e përhershme. Kryetar i Këshillit të Përgjithshëm u zgjodh me shumicë votash z.Ylli Gurra, myfti i rrethit Librazhd. Mbledhja ka vazhduar me rendin e ditës, duke miratuar raportet 6-mujore të Kryesisë së KP-së dhe Kryesisë së KMSH-së. Pika kryesore e miratuar në këtë mbledhje ka qenë miratimi i vendimit historik, që xhamia e re e Tiranës të ndërtohet në sheshin e Namazgjasë, si vendi më i përshtatshëm dhe që do të plotësonte më së miri kërkesat e besimtarëve të kryeqytetit. Me këtë vendim, forumi më i lartë i myslimanëve ka përkrahur e mbështetur vendimin e KMSH-së për ndjekjen me hapa të shpejtë të të gjitha procedurave për ndërtimin e xhamisë së Namazgjasë, si një kompleks multifunksional dhe në përshtatje me dinamikën e kohës. Këshilli i Përgjithshëm ka vendosur po ashtu që hapat ligjorë për ndërtimin e kompleksit të Namazgjasë të ndiqen nga komisioni i ngarkuar për këtë çështje nga kryesia e KMSH-së në bashkëpunim me strukturat përkatëse.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›