E Diel, 1 Nëntor 2026

Rikthimi i mumjes komuniste Ramiz Alia, në ndihmë të dështakut të PS-së

Ismail Kadarenë kur e pyetën në prag të evenimentit “Shqipëria është kulturë” se cili është virtyti më i madh dhe defekti më i madh i shqiptarëve, Gotha i letrave shqiptare u përgjigj në mënyrë ndriçuese: “është e vështirë ta thuash, për çfarë është e rëndësishme dhe ndoshta është, që ata (shqiptarët) kurrë nuk të lënë kollaj. Nëse ju ndodh diçka në rrugë, ata nuk ju lënë vetëm, ju ndihmojnë deri në fund. Ato u japin ndihmën e menjëhershme dhe nuk janë aspak indiferent, siç mund të ndodhë në shumicën e vendeve të botës. Ndërsa defekti më i madh është se ndonjëherë janë të lehtë, harrojnë shpejt gjëra që nuk duhen harruar, nuk nxjerrin mësime...”. Një prej gjërave që nuk duhen harruar është vuajtja dhe dhimbja e kaluar gjatë regjimit jakobin komunist.
Këto fjalë finale dëftejnë shumë për orekset nostalgjike të një pjesë të medies “njollë-kuqe” shqiptare për të rikthyer të paktën virtualisht zombie të komunizmit stalinist shqiptar. Sepse së fundmi po del në pah Ramiz Alia, një prej gjakatarëve të sistemit komunist represiv. Ky dogmatik na paska bërë edhe kujtime (R. Alia, jeta ime...), ku shfajëson tërësisht terrorin të krijuar nga Diktatori Hoxha dhe prej tij. është e pabesueshme që akoma ish-komunistët e sojit Ramiz Alia, profesor i ndërtimit të socializmit me forcat e veta, luftës së klasave e diktaturës proletariatit të dalë në media e të japë leksione mbi politikën e demokracinë. është akoma më e pabesueshme që ekzistojnë akoma nostalgjikë apo bij nostalgjikësh të rënë nga pozicionet e pushtetit qëndror e privilegjet e humbura, që mezi presin fjalën e ish-pushtetarëve si i eturi në shkretëtirë.
Ramiz Alia ka në ndërgjegje 45 vjet diktaturë, 45 vjet shtypje, 45 vjet rrënim ekonomik, shpirtëror, moral, njerëzor.
Për të gjithë ndryshimet që pretendon se i pilotoi apo më mirë i frymëzoi, nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e strategjisë tipike të dezinformimit komunist. Ramiz Alia me shokë u shporrën prej ngjarjeve historike nga dëshira për liri e demokraci të qytetarëve shqiptarë. Edhe diçka, që po dëgjohet shpesh në kanalet televizive: E kam fjalën për atë që gjoja Ramiz Alisë iu dashka njohur merita për shmangien e përdorimit të dhunës gjatë ndërrimit të pushtetit. Jo, nuk është e vërtetë se shmangia e dhunës u bë prej largpamësisë të Ramiz Alisë, por u bë për dy arsye: E para se shteti shqiptar ishte i kalbur në palcë. E dyta ishte frika se, edhe dhuna më e vogël do të sillte kundërpërgjigje e Ramiz Alia nuk do të ishte këtu e të na shiste mend, por do të kishte përfunduar si çaushesku në Rumani.
Gjithsesi është pjesë e operacionit anti-Shqipëri, sikurse ishte krejt programi i komunizmit: armiqësia ndaj Europës. Prandaj edhe Ramiz Alia në intervistat e fundit po përkrah haptazi Edi Kristaq Ramën me grevën e emëruar prej tij, çka bëhet krejt për të rivënë në krye gjeneratën e dytë të bllokut. Ramiz Alia personifikon nëpërkën me helmatisëse, më të zezë, më të fshehte dhe shpirt më të ndyre se ky "bilbil dogmatik i komunizmit”. Një komunist deri në fund! Mbron diktaturën e proletariatit. Ajo u aplikua nga njerëz. bile ka filluar të thotë se ka patur gabime. O Zot! ç’largpamësie! Po si
ia arriti ta gjejë mor perëndi!?! Ramiz Alia kërkon të shfajësojë Enver Hoxhën. Këtij njeriu asnjëherë nuk i është nxirë, skuqur, zverdhur apo zbardhur faqja, por ngjyra të çuditshme prej lëkurë kameleoni ka marrë sa herë ka pasur dalje publike.
Mirëpo pak faj kemi të gjithë ne, qe edhe pas 20 vitesh pluri-partitizëm dhe demokraci liberale bashkë me kapitalizëm me probleme, nuk kemi arritur të bëjmë një Nuremberg (siç gjermanët me gjykatën e krimeve të nazizmit) për krimet e komunizmit dhe drejtuesve të atij regjimi në Shqipëri.
Ka të drejtë R. Alia që del si një sharlatan plak në faqet e gazetave mediokre dhe merr guximin për të na folur për meritat e pakundërshtueshme të komandantit legjendar. Janë këto lloj gazetash që mbushnin faqet e para me tituj për zënkat e N. Hoxhës me djalin dhe nusen e saj. Absolutisht që nuk është e tepërt të thuhet se këto media po u shërbejnë etërve dhe financuesve të nëndheshëm të tyre.
është ofendim në radhë të parë për ata mijëra të vrarë me apo pa gjyq, të burgosur, të internuar, të persekutuar që udhëheqësi i fundit komunist i Shqipërisë, që u mundua me të gjitha mënyrat të pengonte zhvillimet demokratike në Shqipëri, t’iu flasë për meritat e E. Hoxhës dhe komunizmit stalinist të zbatuar në Shqipëri.
është ofendim për të gjithë popullin shqiptar (këtu nuk futet ai 10% i lidhur ngushtë me këtë regjim), që e kishte burgosur duke e ndarë me tela me pjesën tjetër të botës, lindore apo perëndimore, që i persekutoi dhe i vrau mendimet. E katandisi ekonominë shqiptare në atë shkallë sa rrezikonim të ktheheshim si popull, nga njerëz në likantrop të egër.
Harrojnë edhe ca pinjollë të komunizmit që shkarravisin nëpër të përditshmet. Por për një gjë jemi shumë të sigurt, pavarësisht të gjitha vështirësive që ka Shqipëria, ai sistem i djallit qoftë edhe me arna moderne nuk rikthehet më në Shqipëri. Ai sistem që kërkoi të “vriste” edhe Zotin, do të trajtohet dhe paraqitet me fytyrën e tij prej demoni edhe në faqet e historisë sonë, sado që pinjollët e atij sistemi në PS apo organizma të tjera të mundohen të ndalojnë këtë rishikim dhe pasqyrim ashtu siç duhet të historisë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›