E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Prisnin djalin për ditëlindje, ju erdhi në arkivol"

05/03/2005  Bashkëfshatarët e Altin Mulitës risjellin përjetimet e prindërve të tij

BERAT - Janë larguar vetëm 5 javë pas varrimit të djalit edhe pse në qytetin bregdetar të Durrësit, kishin blerë shtëpi tre muaj para se t’u ndodhte tragjedia e vrasjes të djalit. Prindërit e Altin Mulitës, të vrarë rreth një vit më parë në Angli, Havaja dhe Jaupi, për banorët e fshatit Starovë, në rrethin e Beratit, prisnin djalin për të festuar 23-vjetorin e lindjes së tij, por mbërriti me arkivol, ndërkohë që pas largimit nga fshati dy pleqtë, nuk i kanë prerë lidhjet me këtë fshat, të cilin “e vizitojnë” në përvjetore datash të lidhura me kujtimin e djalit të tyre.

Banorët e Starovës ende nuk e kanë shlyer nga kujtesa ngjarjen e 11 muajve më parë, kur në fshatin e tyre mbërriti trupi i pajetë i 20-vjeçarit Altin Mulita.

Sipas kutjimeve të Pëllumbit, njërit prej bashkëfshatarëve, mësohet se prindërit e Altinit, vrasjen e djalit të tyre e mësuan vetëm 5 ditë pas vrasjes. Në kujtesën e bashkëfshatarëve, kjo ngjarje ishte përjetim i dhimbshëm për prindërit e Altinit, që kishin 7 vjet pa e parë.

Pëllumbi mban ende mend dhe tregon se babai i Altinit, Jaup Mulita, e priste me padurim të birin në verën e vitit 2004, ku dhe do të festonte 23-vjetorin bashkë me të afërmit.

”Nuk qenka e shkruar që im bir të jetonte, erdhi te ne i vdekur”, kujton Pëllumbi shprehjen e Jaupit, pasi kishte marrë vesh vdekjen e djalit.

Ato ditë, veç të afërmve pranë dy të moshuarve, që u kishte pllakosur tragjedia e vrasjes të djalit të tyre çdo ditë në familjen vinin dhe dhjetëra e qindra banorë të fshatit Starovë dhe të fshatrave përreth. Ndërsa ditën e varrimit, javën e fundit të muajit maj 2004, familjarët, të afërmit dhe banorët e zonës i kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Pas kësaj, prindërit e viktimës së emigracionit çdo ditë shkonin te varrezat, tregon Pëllumbi më tej.

Sipas Pëllumbit, por edhe sipas banorëve të fshatit dhe të lagjes, ku banonin Havaja e Jaupi, ata, edhe pse janë larguar 5 javë pas varrimit të djalit të tyre nga fshati, sërish në çdo datë të muajit, kur kanë varrosur djalin e tyre, vijnë në varreza dhe rrallë herë kthehen te të afrmit apo te shtëpitë e tyre që ende i kanë në fshat. Nga bisedat e bashkëfshatarëve me Havanë e Jaupin, mësohet se ata e prisnin nga dita në ditë dënimin e vrasësve të djalit të tyre.

Për nënën e Altinit, Havanë, bashkëfshatarët tregojnë se ajo ka qenë tepër e sëmurë dhe është shtruar disa herë në spital pas vdekjes së të birit, duke qëndruar gjatë kësaj kohe me serume.

1 maj 2004

Goditja me thikë, i mori jetën Altinit

Viktima Altin Mulita, 23 vjeç, jetonte që prej shtatë vitesh në qytezën e Hove, ku gjatë ditës punonte në ndërtim dhe natën në një klub nate. Ai u godit për vdekje me thikë 20 herë, më 1 maj 2004, rreth orës 01.15 të natës dhe gjeti vdekjen brenda makinës së tij, tip “Opel Astra”, si pasojë e goditjeve me thikë, 25 centimetra të gjatë në kraharor.

Tre shqiptarë të gjetur fajtorë për vrasje, u dënuan dy ditë më parë me burgim të përjetshëm nga Gjykata qendrore e krimeve "Olb Bailey" në Londër. Pas një procesi gjyqësor, që zgjati dy muaj, i cili nisi në gjykatën rajonale të krimeve në qytetin e Brightonit, Flamur Topalli së bashku me Ermir dhe Vionest Demën kanë marrë dënimin maksimal nga gjykata londineze për vrasjen në vitin e shkuar të 23-vjeçarit Altin Mulita, me origjinë nga Berati, i cili banonte pranë qytetit bregdetar të Brightonit, në jug të Anglisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›