E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, 22 komisionerë në gjykatë për falsifikim dokumentesh

Përfundon hetimi për 22 komisionerë të akuzuar për falsifikim dhe manipulim të rezultatit të zgjedhjeve lokale të vitit të kaluar. Prokuroria e Vlorës ka dorëzuar për gjykim në gjykatë fashikujt hetimorë të dosjes në ngarkim të 22 komisionerëve të hetuar në gjendje të lirë, të cilët hetohen prej një viti për parregullsitë që shoqëruan fundin e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 18 shkurtit në komunën Qendër ku garonin Fredo Berberi dhe Arben Avduli, respektivisht i PBDNJ-së dhe PSD-së. Në atë kohë procesi i zgjedhjeve u denoncua për parregullsi nga njëri prej kandidatëve, i cili është edhe kryetari aktual i komunës Qendër, Fredo Berberi. Denoncimi erdhi pas rezultatit të parë të zgjedhjeve ku dolën më shumë vota se votues të regjistruar në këtë zonë. Prokuroria nisi hetimin menjëherë dhe tashmë mbërriti në përfundim të hetimeve disamujore, duke çuar për gjykim 22 komisionerët që do të përballen me togat e zeza për veprat penale “falsifikim” dhe “zvarritje të nxjerrjes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve”. Në tërësi janë 22 të pandehur, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur nga organi i akuzës, ndërkohë që mësohet se i përkasin forcës politike të PSD-së në pjesën më të madhe të tyre dhe në atë kohë kanë përfaqësuar kandidatin e PDS-së, Arben Avduli, të cilit i ishin dhe regjistruar votat më të mëdha. Zv.prokurori i rrethit të Vlorës, Dorian Tafilika, konfirmoi se janë dërguar në gjyq 22 komisionerë, emrat e të cilëve janë gjetur nga qendrat që ata kanë përfaqësuar dhe njëkohësisht nga verifikimi i dokumenteve të procesit të votimit dhe procesverbaleve të ditës së votimit, të cilat iu vunë në dispozicion prokurorisë pas kallëzimit të bërë nga Fredo Berberi, njëri nga kandidatët. Çështja i ka shkuar dje gjykatës dhe ata tashmë do të gjykohen për veprën penale të “falsifikimit të dokumenteve zyrtare”. Vetë kreu i komunës, në të njëjtën kohë edhe denoncuesi i manipulimeve, Fredo Berberi, ka deklaruar se “pas votimit të parë, unë kam denoncuar në prokurori shkeljet e bëra në fshatin Babicë e vogël, ku nga 200 votues, në kutitë e votimit u gjetën 420 vota. Komisionerët kishin falsifikuar firmat dhe dokumentacionet, pra procesverbalet, duke shtuar kështu edhe 220 vota të paqena, për t’ia atribuuar ato kandidatit tjetër të PSD-së, Arben Avdulit. Pas kallëzimit tim, KQZ-ja vendosi të ribëhen zgjedhjet në këtë zonë, pra për komunën Qendër, që siç dihet u ribënë pas një jave nga data 18 shkurt. Pas votimit të dytë, unë dola fitues me 700 vota mbi kandidatin tjetër, çka konfirmoi kështu de fakto shkeljet e bëra më 18 shkurt dhe drejtësinë e KQZ-së për ribërjen e procesit të votimit”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›