E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Cikloni 3”, kërkohen 21 vjet burg për Myftarin e Kanin



Të pandehurit u kapën me 6 pistoleta të tipit “Zastava”

Armët, sipas akuzës, ishin në gjendje të mirë teknike

Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaroi fajtorë dhe kërkoi dënimin me 21 vjet burg për dy të pandehurit, Edmond Myftari e Edi Kani, të akuzuar për “trafik armësh e municionesh luftarake” dhe të arrestuar gjatë operacionit të koduar “Cikloni 3”. Dy të pandehurit kanë kërkuar të gjykohen në gjendjen që janë aktet, në aplikim të gjykimit të shkurtuar. Prokurori kërkoi dënimin e të pandehurve, respektivisht 12 vjet burg për Edmond Myftarin dhe 11 vjet burg për Edi Kanin. Në seancën e radhës pritet që mbrojtja e dy të pandehurve të paraqesë konkluzionet përfundimtare, për të kaluar më pas në verdiktin përfundimtar të togave të zeza. Ngjarja për të cilën akuzohen dy të pandehurit ka ndodhur më 17 prill të vitit 2007. Sipas organit të akuzës, i pandehuri Kani ka dalë nga një tunel në rrugën “Don Bosko” me një qese të bardhë në dorë, brenda së cilës ishin 8 copë pistoleta të tipit “Zastava” 6.53 mm, një sasi prej rreth 13.900 lekësh të reja, si dhe një autoveturë “Volswagen golf 4”, me targa BE 404 LB. Po sipas akuzës, i pandehuri Myftari e ka ndjekur nga mbrapa, duke numëruar një sasi parash. Në momentin që Myftari ka hipur në makinën e Kanit, strukturat policore i kanë ndaluar për të kryer një kontroll mbi mjetin. Po sipas akuzës, bëhet e ditur se të 6 armët e sekuestruara ishin teknikisht në gjendje të rregullt dhe me to mund të realizohej një qitje normale. Dy të pandehurit, Myftari e Kani, i përkasin grupit të dytë të personave që janë kapur me armë e municione falë operacionit të koduar “Cikloni”, që janë duke marrë dënimin për trafikun e armëve dhe municioneve. Të parët që u dënuan në kuadër të këtyre operacioneve të njëpasnjëshme janë grupi i ushtarakëve që u kapën me municione në aksin rrugor Berat-Lushnje, ndërkohë që është ende në proces gjykimi grupi i kapur me pistoleta “Mini Blow” nga Kosova në drejtim të Tiranës.

Pretenca

Edmond Myftari (Abazi), kërkohen 12 vjet burg

Edi Kani, kërkohen 11 vjet burg

Akuza

“Trafik armësh e municionesh” në bashkëpunim

Detaj

8 ishin pistoletat tip “Zastava” të kalibrit 6.35 mm të kapura dy të pandehurve te “Don Bosko”

Durrës

Arrestim i paligjshëm, gjykata liron 4 policët bashkiakë

Cilësohet i paligjshëm si arrestim, lirohen katër policët bashkiakë të Durrësit, të arrestuar nga policia tri ditë më parë. Në seancën e djeshme për vendosjen e masave të sigurisë për kreun e Policisë Bashkiake Rexhep Bulku dhe 3 kolegët e tij Bashkim Maloku, Denis Omeri dhe Ndriçim Dervishi, trupi gjykues ka vendosur të ndjekë në gjendje të lirë të katërt policët, të cilët fillimisht janë akuzuar për tejkalim të kompetencave. Pas shqyrtimit të dokumenteve të prokurorisë, gjykata ka vendosur të ndryshojë akuzën ndaj tyre nga “tejkalim kompetencash” në “veprime arbitrare”. Shefi i Policisë Bashkiake të Durrësit dhe 3 efektivëve të kësaj policie u vunë në pranga tri ditë më parë nga kolegët e tyre, pasi kanë keqtrajtuar drejtuesin e një automjeti. Bashkim Maloku, Ndriçim Dervishi, Denis Omeri dhe Rexhep Bulku, me detyrë shef i Policisë Bashkiake, u arrestuan pas kallëzimit në prokurorinë e rrethit të Fatmir Zakovës, pronar i autobusit me targë DR 0366 D. Sipas policisë, punonjësit e Policisë Bashkiake, gjatë kontrollit për të verifikuar pajisjen e automjeteve me licenca, janë konfliktuar e më pas e kanë goditur me sende të forta dhe me grushte shtetasin Zakova, duke u përpjekur ta shoqërojnë arbitrarisht në mjediset e policisë.

Vendimi

Akuzohet për mashtrim, tërhiqen aktet për Enxhi Cakon

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të pranojë kërkesën e përfaqësuesit të akuzës, duke tërhequr aktet në Prokurori për të pandehurin Enxhi Cako, i akuzuar për veprën penale të “mashtrimit me shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, bazuar në nenin 143/1 të Kodit Penal, (neni 109/b/1 Kodi Penal). Kjo çështje ishte duke u gjykuar nga gjyqtari Ardit Mustafaj. Gjatë seancës, prokurori i çështjes kërkoi tërheqjen e akuzës dhe kalimin e akteve në Prokurorinë për Krime të Rënda, pretendim për të cilin ra dakord edhe mbrojtja e të pandehurit Cako. Tashmë, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të vazhdojë të hetojë dhe grumbullojë prova në ngarkim të të pandehurit Enxhi Cako.

Gjyqi

Mungojnë avokatët, dështon seanca për “Bandën e Durrësit”

Dështon sërish zhvillimi i procesit gjyqësor në ngarkim të 16 të pandehurve të “Bandës së Durrësit”. Shkak për këtë dështim të radhës janë bërë sërish avokatët, dy prej të cilëve nuk kanë qenë të pranishëm mëngjesin e djeshëm në seancë, ndonëse e paralajmëruar si ditë dhe orar nga trupi gjykues. Si përherë, pasi u bëri vërejtje për mungesën në seancë, gjyqtari kryesues, Gurali Brahimllari, u bëri një tjetër vërejtje avokatëve, mungesën e pelerinave gjatë seancave gjyqësore. Ndërkohë që, i pranishëm si një seancë më parë, nën masa të rrepta sigurie, nuk ka munguar i penduari i bandës, ai që hodhi dritë mbi gjithë krimet e Bandës së Durrësit, Adriatik Coli. Seanca zgjati vetëm disa minuta, duke konstatuar mungesën e dy avokatëve dhe njoftuar datën për seancën e ardhshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›