E Diel, 1 Nëntor 2026

Kazinotë dhe lojërat e fatit, arkëtuesit më të mëdhenj të taksave

Në tre muajt e parë të vitit janë paguar 158 milionë lekë taksa. Kazinotë ndërtohen në Vlorë, Sarandë, Velipojë, Durrës e Tiranë

Ervin Koçi

Kazinotë dhe lojërat e fatit janë jo vetëm një ndër bizneset më fitimprurëse në vend, por edhe ndër subjektet të cilat i paguajnë më shumë taksa shtetit. Të ardhurat nga lojërat e fatit dhe kazinotë arritën në 158 milionë lekë vetëm gjatë tre muajve të parë të vitit 2008, duke qenë kështu ndër arkëtuesit më të mëdhenj të të ardhurave në buxhetin e shtetit. Këto të dhëna bëhen të ditura nga Ministria e Financave, sipas së cilës, “këto të ardhura që hyjnë në buxhetin e shtetit janë rritur gjatë 3 viteve të fundit”. Pas ligjit të ri për licencimin e lojërave të fatit dhe kazinove, u përcaktuan edhe rregullat për funksionimin e këtyre lloj bizneseve. Lotaritë kombëtare janë licencuar sipas një modeli të ri, duke iu nënshtruar konkurrimit për një aktivitet jo më shumë se 10-vjeçar. Ndryshimet ligjore në aktivitetin e lojërave të fatit dhe kazinove u miratuan nga Kuvendi dhe për to tashmë kujdeset edhe Ministria e Ekonomisë.

Ligji për kazinotë

Për hartimin e Ligjit “Për kazinotë dhe lojërat e fatit” i cili duhet të përshtatej sipas standardeve të BE-së, u shfrytëzua një studim i bërë në vitin 2006 të institutit zviceran të legjislacionit krahasues, për shërbimet e ofruara përmes lojërave të fatit në tregun e brendshëm europian. Ndryshimet ligjore në këtë ligj ofrojnë modelin e një lotarie kombëtare, licencimi i së cilës është bërë me konkurrim dhe me afat 10-vjeçar. Ndërkohë, propozohet që operatorët e tjerë si "lotari me shorte" dhe "lotari e çastit" do të funksionojnë deri në hyrjen në fuqi të ligjit të ri të propozuar nga METE. Në ligj është parashikuar edhe dhënia e licencës për "lotari kombëtare" dhe për "konkurs për parashikimet sportive", afati i të cilave është 10-vjeçar. Kriteret e dhënies së këtyre licencave parashikojnë konkurrim, operator i besueshëm dhe me përvojë në këtë fushë, që do ta përfitojë këtë privilegj kundrejt garantimit të rendit publik, interesit publik dhe shoqëror.

Zonat e kazinove

Zonat turistike të Vlorës, Sarandës, Velipojës, Durrësit dhe qyteti i Tiranës janë zonat ku mund të ndërtohen kazinotë, sipas ligjit të ri “Për kazinotë dhe lojërat e fatit”. Numri për ngritjen e tyre miratohet me vendim të posaçëm nga qeveria dhe licenca jepet nga Ministria e Ekonomisë. Si strukturë përgjegjëse për kontrollin e tyre është caktuar "Njësia e mbikëqyrjes së lojërave të fatit", që do të kontrollojë shoqëritë e licencuara në fushën e lojërave të fatit, kazinove dhe hipodromeve. Çdo person juridik ka mundësinë që të konkurrojë për të marrë licencën për “Lotarinë Kombëtare”. Konkurrentët, që të fitojnë, duhet të kenë të gjithë dokumentet e nevojshme, përvojë, vërtetim se nuk janë në falimentim, si dhe një shumë prej 20.000.000 lekësh. Asnjë person, që nuk ka mbushur moshën 18 vjeç, nuk do të mund të hyjë në “Lotarinë Kombëtare”. Ligji ndalon rreptësisht pjesëmarrjen e minorenëve, si dhe punësimin e tyre në ambiente të tilla. Kompania fituese do të ketë mundësi të ngrejë lojëra në Tiranë, Durrës, Vlorë, Sarandë e Velipojë. Në çdo qytet vetëm nga një të tillë.

Reklamat

Qeveria ndalon dhe reklamat për kazinotë dhe lojërat e fatit. Në projektin e fundit të saj përcaktohet ndalimi i publicitetit të lojërave të fatit në mënyrë të veçantë për të miturit. Po kështu do të ndalohet edhe paraqitja e spoteve, që i paraqet lojërat e fatit si shpëtim nga problemet ekonomike. Në relacionin që shoqëron projektin thuhet se këto sanksione janë marrë nga praktikat ndërkombëtare.

Të ardhurat sipas viteve për periudhën 2005 - 2008:

3-mujori i parë i vitit 2005 - 11.6 milionë lekë
3-mujori i parë i vitit 2006 - 132 milionë lekë
3-mujori i parë i vitit 2007 - 125 milionë lekë
3-mujori i parë i vitit 2008 - 158 milionë lekë

Viti 2007, të ardhurat nga turizmi u rritën 24 për qind

Viti 2007 ka shënuar zhvillime pozitive në tregtinë e shërbimeve, ku turizmi, në mënyrë konstante kryeson në gjenerimin e të ardhurave dhe shpenzimeve, respektivisht me 69 dhe 64 për qind ndaj totalit në tregtinë e shërbimeve. Lajmin e bën të ditur Banka e Shqipërisë, e cila vëren se prurjet nga eksporti në turizëm kanë arritur në nivelin 1 miliardë eurove, të vlerësuara 27 për qind më shumë se ato nga eksporti i mallrave. Ndërkohë që rritja vjetore e të ardhurave nga turizmi vlerësohet në rreth 24 për qind. Kjo rritje, nënvizon në deklaratën e saj BSH-ja, është ndikuar kryesisht nga rritja e numrit të shtetasve të huaj dhe të emigrantëve (62 për qind), që kanë vizituar vendin si edhe nga rritja e shpenzimeve ditore.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›