Legisi: “PS-ja të distancohet nga Berisha për dhunimin e Kushtetutës
Deputeti i LSI-së, Ndre Legisi, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Shqipërisë ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Berisha, pasi ai dështoi për të realizuar reformat e kërkuara përpara zhvillimit të Samitit të Bukureshtit, edhe pse Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit në NATO. Legisi tha se opozita duhet të kërkojë me vendosmëri dorëheqjen e Berishës dhe segmente të caktuara të saj nuk duhet të jenë në mbështetje të kryeministrit.
“Luhatjet e habitshme nga paktet për reforma të pakryera e fërkim shpatullash të Berishës deri në kërkesën për dorëheqje janë kaq të vjetra, sa vetë politika e këtyre 17 viteve. Jam i bindur se jo vetëm shqiptarët, por edhe ndërkombëtarët presin largimin e Sali Berishës si kryeministër, si mundësi e vetme për të pasur reforma konsensuale dhe gjithëpërfshirëse në këtë vend”, - tha Legisi. Ai i bëri thirrje PS-së që të distancohej nga prekja e Kushtetutës.
“Lidershipi i PS-së mirë se nuk do që të njohë asgjë nga puna e bërë nga kolegët e majtë në 8 vitet e qeverisjes socialiste, por tashmë do dhe që të shkatërrojë Kushtetutën e miratuar me mjaft mund dhe të kundërshtuar nga Berisha, duke i dhënë një tjetër garanci këtij, në rast humbje të maxhorancës në Kuvend”, - tha Legisi.
11 Prill 2008