PS: “Turp për Berishën dhe Topin, gënjyen për Gërdecin”
Kryetari i Komisionit të Sigurisë së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Ylli Manjani, deklaroi se Presidenti i Republikës Bamir Topi dhe kryeministri Sali Berisha i mashtruan shqiptarët kur deklaruan se nuk ishin në dijeni të rrezikut që u kanosej banorëve të fshatit Gërdec. Duke iu referuar dokumenteve që janë publikuar këto ditë në media, Manjani tha se Topi dhe Berisha kanë shkelur Kushtetutën dhe kanë thyer betimin që kanë bërë përpara saj. “Dua të theksoj se si zoti Topi, ashtu edhe zoti Berisha, për funksionet publike që kryejnë janë nën betim kushtetues. Ata të dy janë betuar para Kushtetutës së Republikës për besnikëri, për zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve në shërbim të popullit. Të dy zotërinjtë e shkelën betimin dhe Kushtetutën sepse e gënjyen popullin”, - tha Manjani. Ai i quajti të turpshme deklaratat e gënjeshtra të presidentit dhe të kryeministrit të vendit. “Nuk ka sesi të bëhet turpi më i madh për kryetarin e shtetit që të bëjë të paditurin kur për Gërdecin dhe çdo predhë që hyri e doli prej andej informohej në çdo 2 ditë. Akoma më e zezë është panorama e kryeministrit, që u përbetua para Kuvendit dhe gjithë shqiptarëve se për Gërdecin mësoi vetëm ditën e ngjarjes tragjike. Zoti kryeministër gënjeu në përpjekje për të fshehur të vërtetën e hidhur të pasojave të një krimi shtetëror, pasoja e të cilit tashmë janë të qarta”, - tha Manjani.
11 Prill 2008