E Shtunë, 31 Tetor 2026

Referencat, doganat rrisin çmimet për artikujt e konsumit

Tarifa doganore është 150% nga 19% që është në vendet e BE-së. Abuzimet me ligjin rëndojnë direkt te çmimet dhe konsumatori

Ervin Koçi

Ndryshimi dhe niveli i referencave sipas qejfit nga ana e administratës doganore, e sidomos për artikujt e konsumit, ka sjellë një shtrenjtim të ri te këto të fundit. Rritja më e re e çmimeve të referencës, sidomos për artikujt e konsumit apo dhe mallrat e akcizës, është një metodë e cila përdoret edhe për të rritur të ardhurat e arkëtimeve në buxhet nga ana e Doganave Shqiptare. Edhe pse kjo metodë duhet të aplikohet për përcaktimin e tarifës doganore, administrata e doganave e përdor këtë si alternativë për të rritur të ardhurat e saj në më shumë se 60 për qind e rasteve. Si metodë e parë për zhdoganimin e mallrave në bazë të Kodit Doganor është metoda e vlerësimit mbi bazën e faturës së blerjes. E dyta është metoda e vlerësimit mbi bazën e çmimit të mallrave identike ose të ngjashëm. E treta është metoda e vlerësimit mbi bazën e vlerës së llogaritur të mallit dhe e katërta dhe e fundit është metoda e vlerësimit mbi bazën çmimeve të referencës. Kjo duhet aplikuar vetëm në rastet kur janë konsumuar të tre metodat e para, por që nga viti 1999, kur kjo praktikë hyri në fuqi, ajo rezulton si më e përdorura nga administrata doganore shqiptare.

Importuesit

Importues të ndryshëm janë ankuar ditët e fundit për shtesa të ndryshme në çmimet e referencave për mallrat që ata importonin edhe më parë drejt vendit tonë. “Çmimet e referencës aplikohen në pjesën më të madhe të rasteve nga doganierët, por jo vetëm, pasi abuzimi në këtë drejtim është shumë i lartë”, deklarojnë importues të ndryshëm për gazetën “Albania”. Sipas tyre, abuzimet vijojnë edhe në rastet më të rëndomta kur bëhet fjalë për mallra në sasi fare të vogla si p.sh., konfeksione apo produkte të ndryshme higjieno-sanitare. Kjo për faktin se në asnjë rast çmimet e referencave për artikujt e ndryshëm nuk bëhen transparente nga administrata doganore shqiptare dhe tregtarëve të ndryshëm u bëhet një “surprizë” e pakëndshme kur shkelin në doganat tona. Sipas përllogaritjeve të bëra nga importuesit, “në doganat shqiptare tarifa doganore rezulton 150 për qind nga maksimumi 19 për qind që është në vende të tjera të BE-së”.

Tarifat doganore

Veprimet apriori që ndiqen sistematikisht nga ana e administratës doganore shqiptare aplikohen edhe me kompani të mëdha serioze, si dhe ndaj mallrave që kanë peshë të konsiderueshme në shpenzimet e konsumatorëve. Kështu aplikimi i tarifave të larta doganore si rezultat i referencave "false", krijon deformime edhe në çmimet e mallrave të importit, kryesisht të atyre të konsumit si drithërat, apo dhe fruta-perimet. Nga ana tjetër, integrimi në BE kërkon që aplikimi i çmimeve të referencës në procesin e zhdoganimeve të eliminohet ose të reduktohet në maksimum, gjë që ende nuk po duket në praktikat doganore. Nga ana tjetër, metoda e vlerësimit konsiderohet kritike, pasi ajo është e lidhur ngushtësisht edhe me apelimin dhe me punën e administratës tatimore për efekt të rimbursimit të TVSH-së.

11 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›