E Diel, 1 Nëntor 2026

Qesari e Velaj, ekspozitë në studion e Fadil Berishës në Nju Jork



Me ftesë të Shoqatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi”, presidentes dr. Anna Kohen, prej disa ditësh ndodhen në SHBA dy artistë të njohur shqiptarë me origjinë nga Vlora si fotografi, gazetari e publicisti Vasil Qesari dhe piktori Fatmir Velaj. Qëllimi i kësaj ftese ishte hapja e një ekspozite të veçantë me 50 fotografi e piktura në galerinë “Berisha”, të fotografit të njohur Fadil Berisha, në qytetin e Manhattanit.
Velaj e Qesari janë duke promovuar me anë të kësaj ekspozite, për herë të parë artin e tyre në SHBA. Ky aktivitet vjen edhe si rezultat i kurorzimit të lidhjeve të mira që kanë krijuar këta dy artistë me anëtaret e Shoqatës së Gruas Shqiptare në Amerikë “Motrat Qiriazi” dhe presidenten dr. Anna Kohen. Ekspozita është çelur të dielën dhe do të qëndrojë disa ditë në Nju Jork, për të udhëtuar pasandaj drejt Bostonit. Vasil Qesari, është autori i mbi 1000 reportazheve në kanalin TV France+3, ku ai punon si gazetar prej disa viteve. Ai thuhet ka koleksionuar deri tani në kameran dhe aparatin fotografik të tij xhirime e intervista të shumta me njerëz te shquar të artit si Zhan Mare, Sharl Aznavur, Zhan-Pol Belmondo, Zhan-Lui Trintinjan, Fabris Lukini, Salvatore Adamo, etj., por edhe me burra shteti e politikanë si Zhak Shirak, ish-kryeministrat Alen Zhype, Lionel Zhozpe, Soglen Ruajal e Nikola Sarkozi. Ndërkaq, piktori Fate Velaj është autor i dhjetra ekspozitave personale e kolektive në Austri, Gjermani, Itali, Belgjikë, Greqi, Egjypt, Rumani, Maqedoni e Shqipëri.
Dy artistët që jetojnë e punojnë njëri në Austri (Velaj) e tjetri në Francë (Qesari) thanë se janë të lumtur që ju jepet mundësia të promovojnë artin e tyre në qytetin e 12 milionë banorëve, metropolin e botës, pra në Nju Jork. Ekspozita e tyre fotografike ka udhëtuar më parë në qendra të tjera të rëndësishme si Vjena, Bordoja, Parisi e Milanoja. Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës ishin të pranishëm personalitete të ndryshme të artit dhe kulturës, shkrimtarë, biznesmenë dhe veprimtarë të komunitetit shqiptar që jetojnë, punojnë dhe studiojnë në Amerikë.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›