E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjeshta spanjolle sjell piktorin Albert Rafols Casamada në Galerinë Kombëtare të Arteve



Nesër do të çelet në Galerinë Kombëtare të Arteve në kryeqytet ekspozita e piktorit spanjoll Albert Rafols Casamada, që përzgjedh 40 punët më të mira të artistit nga viti 1950 deri më 2005-n. Ekspozita që vjen në kuadër të “Vjeshtës spanjolle” organizohet nga Shoqëria Shtetërore për Veprimin Kulturor të Jashtëm të Spanjës (SEACEX), Galeria Kombëtare dhe Ambasada e Spanjës. Casamada lindi në Barcelonë më 1923 dhe konsiderohet si një ndër artistët më të njohur të qytetit iberik. Një klasik i ditëve tona me një prani të padiskutueshme ndërkombëtare, jo vetëm për trajektoren e tij të gjerë pikturuese, që filloi profesionalisht më 1946, por edhe për veprën e tij letrare e poetike. Dietari dhe Poezia e tij e plotë janë dy vepra thelbësore për të kuptuar modernitetin estetik katalanas, që ka një prani të fortë në literaturën hispanike. Pasi braktisi karrierën në arkitekturë më 1948-n, Albert Rafols Casamada studioi në Akademinë Baixas, ku njohu edhe atë që do të ishte gruaja e tij, piktoren Maria Girona. Më parë kishte qenë pjesë e grupit Els Vuit, me të cilët ekspozoi për herë të parë në Barcelonë në vitin 1946. Ekspozita e tij e parë e pikturës u shfaq në Galerinë e Pikturës së Barcelonës më 1947-n. Më vonë mori një bursë në Paris, ku jetoi tre vjet dhe udhëtoi për të parë Vendet e Ulëta dhe Anglinë, në një proces formimi vizual që e afroi me estetikat e informalizmit dhe të abstraksionit.
Përveç aktivitetit të tij si piktor, që nga 1961 Rafols Casamada ka zhvilluar një aktivitet të rëndësishëm si profesor në shkollat e pikturës Elisava dhe EINA, në Barcelonë, duke iu dedikuar projektimit grafik. Është antar i Fondacionit Joan Miro dhe ka Medaljen e Arteve të Bukura përveç shumë çmimeve të tjera.

FESTIVALI

Muzika e Dhomës mbyll ditët në Durrës

Këto ditë ka përfunduar zhvillimin e edicionit të tij të tretë në qytetin bregdetar të Durrësit Festivali Ndërkombëtar i Muzikës së Dhomës. Në koncertin e fundit të festivalit skenën e “zaptoi” Trioja e Harqeve të Kosovës me artistët Sihana Badivuku, Blerim Grubi e Aristidh Prosi. Tri instrumentistët vinin nga përvoja të ndryshme muzikore në Prishtinë, Shkup e Tiranë. Ata e kanë formuar grupin para pesë vitesh, kohë gjatë së cilës janë përpjekur të promovohen në vendin e tyre dhe në Ballkan. Ky edicion u zhvillua në Durrës nga data 3-15 shtator dhe solli grupe të muzikës së dhomës nga rajoni dhe mbarë Europa. Sipas drejtores së festivalit, znj. Nevila Kalaja, larmia e veprave dhe kompozitorëve, si dhe interpretimeve të tyre gjatë tri shekujve të fundit përbën edhe një ndër veçantitë kryesore të këtij festivali ndërkombëtar që për të tretën herë u mbyll me sukses.

17 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›