E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ke lekun, ke byrekun

Do të jetë artisti Snoop Dog ai i cili pritet ta vizitojë Kosovën në muajin korrik. Kjo mund të jetë thashethemja e 1001-të që e kemi dëgjuar me vite të tëra. Tash e 11 vjet përveç disa rasteve krejt të pakta dhe sporadike, kosovari i thjeshtë ka dështuar të dëgjojë një bend apo artist të mirë në Kosovë.

Ndjenja e të qenit në një koncert të madh është zhdukur dhe mund të përjetohet vetëm në qendrat e tjera të Ballkanit, por jo edhe në Prishtinë.

Problemi thuhet se është një dhe qëndron tek sponsorët të cilët nuk janë dorëlirë apo që në planin e tyre as për së afërmi nuk shohin kësi lloj sponsorizimesh. Por mos të harrohet edhe ligji për sponsorizim i cili tash e disa vjet vetëm përfolet, por asnjëherë nuk gjen aprovimin në kuvend.

“Shumë lehtë është nëse janë mjetet financiare. Por përkrahja e sponsorëve ka qenë minimale në këtë skenë të muzikës”, thotë Gentian Rizaj, promotor.

Mu për shkak të kësaj mospërkrahje, Riza shton se tashmë kanë dështuar eventet e planifikuara me këngëtarë të mëdhenj si Bjork, Snoop Doggy Dog, etj.

“Kështu që tanimë për një kohë të gjatë po pres që të has në një kompani serioze për të filluar bashkëpunimin”, thotë Riza për Express.

Riza shton se nuk ka vështirësi tjera dhe se zgjidhjet gjenden por se mungojnë mjetet financiare.

Bizneset sipas Rizës nuk kanë besim tek një promovim i mirë muzikor, ndërsa koka e tyre është e përqendruar në disa aspekte të tjera.

“Aspak, se bizneset tona nuk kanë besim në promovim të mirë dhe sidomos në muzikë. Ata besojnë vetëm në bilboards edhe televizion”, tha Riza.

Shumëherë është përfolur, por edhe shumë herë ka ndodhur që Dj të ndryshëm gjatë kalimit të tyre nëpër Sërbi të mos dëgjojnë fjalë të mira për Kosovën. Ata janë ballafaquar më frikën sidomos para pavarësisë së Kosovës. Por për Rizën kësi lloj ndalesash nuk ekzistojnë dhe sjellja e një bendi apo artisti është mundur.
“Jo, nuk ka ndalesa, gjithçka është e mundur kur lidhjet janë të mira, prezantimi dhe kur paret janë në dispozicion”, tha Riza.

Njëri ndër produksionet më të mëdha në Ballkan , Avalon Production nga Maqedonia është ai i cili po sjell me dhjetëra bende botërore në territorin e ish – Jugosllavisë. Ky produksion tregon versionin dhe telashet me të cilat janë ballafaquar në Kosovë qysh në vitin 2007, kushte që nuk kanë ndryshuar shumë.

“Producentët kryesore kanë vizituar objektet sportive, që nuk kanë kushte elementare për zhvillimin e ndonjë aktiviteti muzikore. Llogaritni që nuk kanë ujë të nxehte dhe nuk kanë zhveshtore, të mos flasim për nxemje në kushte të një moti të ftohtë”, tha Kushtrim Sadiku nga Avalon .

Ndërsa një fakt tjetër shumë i thjeshtë është edhe ky. Marrja me qira e Stadiumit të Shkupit për një natë kushton 1.500 euro, ndërsa stadiumi i Prishtinë ka kërkuar nga Avalon 10 fishin e kësaj shume.

“Në një oferte që kemi marre nga zyrtarët stadiumi, është kërkuar plot 15 mijë euro, për të marrë me qira stadiumin për një natë. Kjo solli deri tek ftohja e skajshme e investitorëve të huaj, të cilët me plote goje thane se zyrtaret e objekteve në Prishtinë, nuk dëshirojnë të punojnë”, tha Sadiku për Express.

Këto shuma janë kërkuar si për koncertin e mundshëm të Lenny Kravitz por edhe Tarkan gjatë vitit 2009. Tentativa për sjelljen e një bendi në Kosovë ishte edhe ai me Faithless por Avalon prapë “dështon”.

“Koncerti i fundit, apo tentativa e fundit ishte për Faithless, por edhe pse gëlltitëm infrastrukturën, nuk gjetëm asnjë interesim nga kompanitë e mëdha. Na kërkuan të sjellim yje si Beyonce apo 50 cent, koncerte që kushtojnë shumë, ndërsa nga ana tjetër kompanitë të japin fonde minimale, që nuk mbulojnë skenën e zërimin, e të mos flasim për honorarët e artistëve”, potencon Sadiku.

Ndërsa Ardin Badivuku promotor nga Next Level tregon se sjellja e një bendi lidhet edhe me anën ligjore.

“Infrastruktura ligjore dhe financiare është e varfër. Ligji për sponsorizime ende nuk është i aprovuar nga Qeveria e Kosovës, ku bizneset do të kishin më lehtë të sponsorojnë aktivitete të ndryshme kulturore dhe pastaj shuma e sponsorizuar do të zbatoheshte në tatim”, tha Badivuku.

Por, prapëseprapë, Badivuku përmend edhe anën financiare.

“Pak biznese janë të gatshme të japin mjete, sepse nuk e dinë rëndësinë e marketingut të kësi lloj aktiviteteve, ose të hapësirës ku mund t’i promovojnë produktet e tyre”, tha ai në fund.

E neve për fund na mbetet ta shijojnë festivalin Freedom Fest dhe me ato bende që janë të ndihemi mirë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›