Romani i Blushit:Otello, Arapi i Vlorës si Barack Obama
Alma Mile
Ku ka një Desdemonë, një Jago, apo Kas, do të ketë patjetër edhe një Otello. Ai që është ndryshe, që pranohet (ose jo) me vështirësi në shoqëri, që e sheh botën ndryshe, që dashuron me forcë, por që pak e duan… Ben Blushi ia "merr hua" Shekspirit personazhet e dashur, për librin e tij të ri "Otello, Arapi i Vlorës", të cilin e promovoi mbrëmë mes miqsh, politikanë e gazetarë. I vendos në një tjetër vend, pikërisht në Vlorë dhe në një tjetër kohë, madje më të hershme se ajo e Shekspirit, në shek XIII-XIV. Luan me ta, krijon një histori të re, me një fund tragjik, por që përcjell të tjera kumte. Rimarrjen e personazhit Otello, për librin e tij, Blushi e shpjegon, jo me "mungesën" e kohës, në prag të zgjedhjeve parlamentare të qershorit, por me një dashuri të hershme të tijën për këtë personazh, si "për një mobilie të vjetër", që nuk e humb kurrë vlerën dhe në një ambient të ri. Por nuk është vetëm kaq. Kur fëmijët e Albano Contarinit (personazh i librit) donin ta "pagëzonin" djalin e vogël me lëkurë të zezë e me sy të kaltër, që blenë në portin e Venedikut, sollën në mendje gjithfarë emrash. Ai nuk mund të kishte emrin e një të krishteri të zakonshëm, por një emër zhurme. "Obamu nuk është keq, tha motra e madhe, ose ndoshta Obama. Duket si një njeri që qesh sa herë e thërret", - shkruan Blushi në faqet e para të librit. Fëmijët vendosën ta quajnë Otello, megjithatë, nuk duket se emri i Obamës, del fare rastësisht aty. Nuk është thjesht një bashkim zhurmash. Ndonëse Blushi në promovimin e librit të tij nuk e përmendi fare këtë përqasje, lexuesi ka shumë të drejtë dyshojë e të heqë një paralele mes djalit të vogël me ngjyrë që erdhi në botën e qytetëruar nga shkretëtira dhe Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama. Edhe ai është një nga ata njerëzit "ndryshe". Një njeri me ngjyrë kurrë nuk kishte hipur në postin e presidentit më parë, ashtu si Vlora nuk kishte parë kurrë më parë një njeri të zi. Nuk ishin të paktë ata që e panë Obamën me skepticizëm, kur kandidoi për President, ashtu si vlonjatët trembeshin kur shihnin Otellon, si të kishin përpara një xhind. Kush mund ta besonte se njeriu me prejardhje nga Kenia e largët, do të drejtonte një bashkësi aq të madhe njerëzish me ngjyrë të bardhë. Zgjedhja e tij bëri vërtetë shumë zhurmë, siç thotë Blushi për emrin e tij, përmes fëmijëve të Contarinit.
Megjithatë, Blushi shfrytëzon rastin për të hedhur shumë linja. "Kam menduar ta sjell Otellon në Vlorë, sepse besoj se përmes këtij libri mund të ndriçohet një pjesë e historisë së Vlorës dhe gjithë Shqipërisë, shumë interesante dhe e panjohur, përpara pushtimit turk. Besoj që duke sjellë Otellon në Vlorë mund të tingëllojë edhe raporti mes shoqërisë ku ne jetojmë në shek. XXI me të ndryshmin, apo me të pabarabartin. Dhe ky nuk është vetëm një problem i shoqërisë shqiptare, por një problem integrimi që bota po e vuan", - thotë shkrimtari, duke "pohuar" në heshtje, se historia e Obamës ngjan deri diku edhe me atë të Otellos. "Muzika është e ditëve tona. Është një piano e vjetër me muzikë të re. Pra, një nga problemet që libri mund t'ia shtrojë lexuesit është, se si një njeri i ndryshëm nga të tjerët nuk mund të integrohet ashtu si duhet në shoqëri, të jetë i barabartë me ta. Ky është një problem i momentit, që e ka jo vetëm shoqëria jonë. Prandaj dhe shoqëria ka këto probleme që ka, sepse nuk arrin të integrojë në shoqëri, njerëz të ndryshëm, për shkak të mendimeve, të ngjyrës, racës, apo varfërisë",- shton ai.
Në qendër të romanit të tij Blushi vendos një histori dashurie. Edhe kjo tragjike si ajo e Shekspirit, vetëm se Otello i Blushit është një skllav deri në fund. Prej këtij boshti dalin të tjera rreze që zbulojnë të kaluarën e Vlorës dhe bashkë me të, të gjithë Shqipërisë, marrëdhëniet me përtej detin, fatin e njeriut të "ndryshëm"… "Nuk mund mos ishte një histori dashurie, sepse Shekspiri e ka trajtuar si një histori dashurie dhe xhelozie, ku e dyta vret të parën dhe natyrisht nuk mund t'i shkëputesha kësaj linje. Por Otelloja im ka më pak fat se ai i Shekspirit, sepse për shkak të rrethanave, të kontekstit, ai nuk mund ta konsumojë dashurinë e tij me Desdemonën, gjë që në rastin e parë ka ndodhur". Ashtu si edhe Otelloja i Shekspirit, edhe ai i Blushit përfundojnë tragjikisht, të mbytur nga dashuria dhe xhelozia e tyre. Edhe këtu shkëndija vdekjeprurëse u bë një shami e fshehur djallëzisht mes petkave të Kasit nga një Jago me flokë të kuq. Shumë njerëz mund të identifikohen me Otellon, pavarësisht fundit. "Njerëzit fatkeqë janë më të shumtë se njerëzit fatlumë në këtë botë dhe letërsia është tipike, kur personazhet janë tipikë. Ai ka pasur shumë pak ditë të lumtura në jetën e vet, por kjo nuk ka rëndësi. Nuk është një zgjedhje politike, por letrare", - thotë Blushi, ndërsa përfundon se projekti më i afërt janë zgjedhjen e 29 qershorit.
Ngjarjet
Ngjarjet shtrihen në vitet 1300-1400 në dy qendra urbane të njohura të kohës, në Venedik dhe në Vlorë, marrëdhëniet politike e tregtare mes të cilave ishin intensive për kohën. Sfondi historik është real: Vlora e viteve para pushtimit turk dhe përpjekjet e kryezotit të saj, Balshës II, për të zgjeruar zotërimet e tij dhe për të përballuar vërshimin e turqve në Jug të vendit, vrasja e tij në fushën e betejës dhe drejtimi i principatës nga e shoqja, Komita Muzaka, aleanca me serbët nëpërmjet martesës së vajzës së saj, Rugina, me princin serb Mrkzha Zharkoviç, të cilin vlonjatët e pagëzuan Kasi, qëndrimi indiferent i Venedikut.
Mes letërsisë dhe politikës
I angazhuar në mënyrë aktive në politikë, Ben Blushi, gjen kohën edhe për të shkruar. Në kulmin e fushatës elektorale, për zgjedhjet e fundqershorit, Ben Blushi boton librin e tij të ri. Një vit më parë shkaktoi jo pak reagime me librin e tij "Të jetosh në ishull". Ndoshta një debat edhe më të ashpër se në politikë. "Letërsia të lë një shije që politika, apo profesione të tjera nuk ta japin dot gjithmonë. Letërsia është një mënyrë për të thënë ca gjëra, që nuk i thua dot ndryshe".
Romani i ri
Romani "Otello, Arapi i Vlorës", është romani më i ri i Ben Blushit. Një botim i shtëpisë botuese "Toena", ka 336 faqe dhe kushton 1000 lekë (8 euro). Ky roman vjen plot një vit pas librit të tij të parë "Të jetosh në ishull", i cili sipas botuesit ka shënuar një rekord shitjesh në 20 mijë kopje. Romani i parë i Blushit u shoqërua me një mori debatesh, mbi mënyrën se si autori e trajtonte çështjen e islamizimit të shqiptarëve.