E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kelmendi e Gjakova serish medalje

Majlinda Kelmendi dhe Nora Gjakova vazhdojnë të shkëlqejnë në aktivitetet e xhudos në arenën ndërkombëtare. Por, këtë herë, suksesi i tyre është i dyfishtë, pasi përveç medaljeve, xhudokat janë ngjitur në podium të përfaqësuara me flamurin e Kosovës, të lejuar për të parën herë nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, IJF.

Suksesi i radhës erdhi në Super Kupën e Botës, turneun në Abu Dhabi të njohur ndryshe si “Grand Prix”, e ku shpërblimi për sportistët që arrinin rezultate arrinte shifrën 200 mijë dollarë. Kelmendi arriti të fitonte medalje të artë, ndërsa Gjakova e mbylli aktivitetin me medalje bronzi.

Majlinda Kelmendi ka marrë një tjetër medalje ari në kategorinë 52 kg, pas asaj të pak ditëve më parë në Stasmboll, pasi mposhti në finale brazilianen Erika Miranda, e cila është mes “Top 5” xhudokave më të mira në botë.

Me triumfin e Majlinda Kelmendit, për të parën herë në histori flamuri i Kosovës është ngritur në një eveniment sportiv në podiumin e fituesit dhe njëkohësisht për të parën herë u dëgjua edhe himni i këtij vendi.

Ndërkohë, në kategorinë deri në 57 kg, Nora Gjakova fitoi edhe një herë medaljen e bronzit. Madje, ajo mposhti në duelin e dytë xhudokën më të mirë të Serbisë, Jovana Rogic, duke fituar edhe sfidën e parë sportive në histori ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që prej pavarësisë.

Gjakova u mposht në gjysmëfinale nga austriakja Zeltner, megjithatë me medaljen e bronzit të fituar, ajo grumbulloi 80 pikë, falë të cilave tashmë ndodhet në 50 xhudokat femra më të mira të klasifikimit botëror.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›