E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kelmendi, një muaj i bllokuar nga dëbora

25/02/2005  Drurët e prerë të pyjeve kanë sjellë rrezikun e orteqeve, që mund të bien mbi fshatra

Ndihma të tjera ushqimore për banorët

SHKODËR - Komuna e Kelmendit akoma vazhdon të jetë e bllokuar nga dëbora. Kanë kaluar 30 ditë që nga bllokimi i kësaj komune nga dëbora e dëndur që ra e që bllokoi të gjitha komunat malore të Qarkut të Shkodrës. Në komunat e tjera, rrugët u zhbllokuan me angazhimin e të gjithave strukturave, duke filluar që nga qeveria, prefektura, bashkia, komunat, ushtria, policia e deri te Ndërmarrja e mirëmbajtjes Rruga –Ura. Ndërsa komuna e Kelmendit, e veçanërisht, Malësia e Vermoshit, me gjithë punën e bërë dhe angazhimin e të gjitha strukturave, përsëri ka mbetur e izoluar nga të gjitha drejtimet. Në korent të të gjithë punës që po bëhet për lirimin e rrugës që të shpie në Vermosh është duke qëndruar vetë nënprefekti i Malësisë së Madhe, Gjeto Cutaj, i cili është nisur personalisht në drejtim të kësaj komune të bllokuar, por makina e tij nuk ka mundur të afrohet më tepër se 20 km nga qendra e kësaj komune. Cutaj shprehet se dëbora e rënë këto ditët e fundit e ka vështirësuar edhe më tej gjendjen. Trashësia e dëborës është rritur ndjeshëm, duke e shpënë nivelin e saj që nga 1.5 m në qafën e Brodolecit e deri në mbi 2.5 m në Vermosh. Në këtë mënyrë asnjë makinë nuk mund të lëvizë dret kësaj zone, gjë që e provoi edhe ai vetë. Duke qenë se kemi të dhëna se edhe rezervat ushqimore, të dërguara me helikopterë të Ministrisë së Mbrojtjes, janë duke u mbaruar, kemi marrë masa dhe po dërgojmë ushqime të tjera shtesë po me helikopterë, të cilat po i shpërndahen kryesisht familjeve më në nevojë, shprehet nënprefekti. Për sa i përket rrugës, vazhdoi ai, përsëri po punohet me tri fadroma, dy të ushtrisë dhe një e vënë në dispozicion nga komuna. Por, përveç 14 km që kishin mbetur pa u zhbllokuar, tani duhet të rizhbllokohen edhe 4 km të tjera, që u zunë përsëri nga dëbora e rënë. Për sa i përket gjendjes shëndetësore, nuk ka pasur asnjë problem në këto ditë, kjo edhe për masat e marra në dërgimin e një ekipi mjekësor me infermierë dhe ndihmësmjekë si dhe me medikamentet e nevojshme. Cutaj i bëri një falenderim të veçantë forcave të policisë të Qarkut Shkodër për ndihmën e paçmueshme dhe të pakursyer që dhanë në kushtet e kësaj emergjence të pandodhur që prej 20 vitesh, si dhe u angazhua që t‘i qëndrojë pranë vetë punës për zhbllokimin e rrugëve dhe furnizimin me ushqime dhe çdo gjë tjetër, që mund t’i nevojitet kësaj komune të thellë malore. Dëbora e rënë këtë vit në zonat veriore dhe verilindore të vendit, si dhe emergjencat që patën ato, kanë filluar t’i vënë në lëvizje kryetarët e komunave malore. Ata të zënë krejtësisht të papërgatitur këtë vit janë duke u përpjekur të gjejnë magazina në qendrat e komunave të tyre në mënyrë që me fondet paraprake të premtuara nga qeveria të mbushin magazinat me ushqime rezervë që para ardhjes së dimrit tjetër. Janë pikërisht banorët e zonave të thella malore e kryesisht të atyre komunave që u ndodhën në emergjencë, të cilët lëshojnë një SOS për prerjen e pyjeve. Ata shpjegojnë se prerja pa kriter e drurëve të pyjeve këto 15 vitet e fundit, sipër zonave të populluara, po rrezikon seriozisht jetën e këtyre banorëve. Kjo gjë u vu re pas rënies së dëborës së fundit në këto zona. Dikur, shprehen banorët, pyjet e dendura sipër shtëpive tona nuk priteshin asnjëherë, kishte vetëm pastrime nga drurët e vjetër apo të kalbur. Ishin pikërisht këta drurë që na mbronin nga rrëshqitjet e dëborës. Ndërsa këtë muajin e fundit, prerja e drurëve, bëri që dëbora e rënë në kreshpat e maleve të rrëshqasë në qafat e tyre pranë zonave të banuara. Falë pjerrësisë së madhe dhe pemëve të prera, grumbullimet në qafat e maleve po kthehen herë pas here në orteqe që, po të mos tregohet kujdes, mund të kthehen në vdekjeprurëse, gjë që nuk e dëshiron askush. Është për t’u theksuar se në këto komuna malore ka me mijëra hektarë pyje, ndër të cilat janë rreth 15% të sipërfaqes me drurë të prerë dhe që të gjithë sipër zonave të banuara, prandaj duhet të bëhet ç’është e mundur për ndalimin e fenomenit të shkatërrimit të pyjeve si dhe për ripërtëritjen e tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›