Zhdukja e Irenës, pse s’u gjetën pamjet filmike në dalje të tragetit
25/02/2005 Duket se vonesa e verifikimeve të policisë dhe Prokurorisë së Durrësit dhe asaj të Tiranës, për zhdukjen e Irena Selit, ka qenë fatale për zvarritjen e hetimit. Kjo, pasi pamjet filmike, të fiksuara në kamerat e tragetit para 31 dhjetorit të vitit të kaluar, janë fshirë dhe nuk ekzistojnë më. Kanë qenë dy kamera sigurie në dalje të tragetit, të cilat filmonin të gjithë pasagjerët që dilnin apo hynin në traget. Por, më datë 31, për shkak të fluksit të madh të pasagjerëve, janë vendosur edhe kamera të tjera. Lajmi bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se sekuestrimi i pamjeve filmike të pasagjerëve që kishin zbritur nga trageti më datë 16, do të ishte prova kyçe për këtë çështje. Sipas burimeve, pas verifikimit që Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bërë në aparatin ku ruheshin pamjet filmike të pasagjerëve të siguruara nga kamerat e sigurisë, nuk janë gjetur ato të datës 16 dhjetor. Gjithashtu ka rezultuar se ishin fshirë pamjet filmike, thuajse të të gjitha ditëve para 16 dhjetorit. Burimet thonë se hetuesit e Krimeve të Rënda kanë kryer verifikimet me anë të ekspertëve të fushës elektronike, për të gjetur shkakun e zhdukjes së pamjeve filmike. Nga ky ekspertim ka rezultuar se filmimet ishin fshirë si pasojë e mbingarkimit të kompjuterit që ruante këto pamje. Sipas Prokurorisë, ky mbingarkim kishte ardhur si pasojë e shtimit të numrit të kamerave. Burimet sqarojnë se, nëse do të ekzistonin të gjitha pamjet e regjistruara më datë 16 dhjetor 2004, atëherë do të ishte e lehtë të konkludohej nëse Irena Seli kishte zbritur apo jo nga trageti, ashtu si pretendon bashkëshorti i saj, Agim Musho. Dhe, nëse zbritja e saj do të ishte filmuar, atëherë dëshmia e Mushos do të ishte marrë e vërtetë dhe ndaj tij nuk do të kishte dyshime për zhdukjen e Irenës. Gjithashtu, Prokuroria e Krimeve të Rënda do të kishte përcaktuar një pistë përfundimtare për zhdukjen enigmatike të Irenës.