E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rifillojnë hetimet për pronarin e “London”, vëllait të Arben Pojanit

25/02/2005  Prokuroria e Vlorës rifillon hetimin për vrasjen e Petraq Fodullit, ish-pronarit të piceri “London” dhe vëllait të biznesmenit të njohur, Arben Pojani (Fodulli) dhe i ky i ekzekutuar më 22 gusht 2003. Lajmi për rifillimin e hetimit të një prej pinjollëve të Fodullajve fierakë, bëhet i ditur për gazetën “Metropol” nga burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas burimeve, prej disa vitesh kjo dosje ishte pezulluar dhe ishin deleguar veprime hetimore në polici, me qëllim konkludimin në ndonjë emër të dyshuar. Ka qenë Prokuroria e Përgjithshme ajo që ka urdhëruar rifillimin e hetimeve për këtë çështje. Kjo për vetë faktin e dyshimeve se vrasja e Arben Pojanit mund të kishte lidhje me atë të vëllait të tij, Petraq Fodullit, vrasje kjo e ndodhur në vitin 1998. Vrasja e Arben Pojanit u hetua për disa muaj nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe më pas ajo i kaloi për kompetencë organit të akuzës së rrethit Tiranë. Mësohet se me kalimin e kësaj dosje në Prokurorinë e Tiranës, organi qendror i akuzës ka urdhëruar rifillimin e hetimeve, edhe për ekzekutimin e Petraq Fodullit. Burimet thonë se gjatë këtyre viteve policia vlonjate nuk ka arritur të administrojë prova materiale kundër të dyshuarve si autorë të vrasjes. Për këtë arsye, Prokurorisë së Vlorës i është kërkuar që të verifikojë edhe njëherë të gjitha veprimet hetimore të kryera më parë, me qëllim që të shikohet nëse ka mbetur ndonjë element i paezauruar në dosje. Gjithashtu, mësohet se do të përdoren informacione dhe prova të përbashkëta për hetimin e vrasjeve të dy vëllezërve Pojani. Burimet përfundojnë se nga hetimet e deritanishme kanë lindur dyshimet se kanë lidhje me njëra-tjetrën, që mendohet të jenë rrjedhojë e konflikteve mes bandave të ’97-ës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›