E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja në Kashar, Prokuroria çon dosjen për veprime të mëtejshme në polici



TIRANË - Prokuroria e Tiranës e ka dërguar në polici dosjen hetimore për ngjarjen e ndodhur vitin e kaluar në Komunën e Kasharit, kur shtetasi Gani Kamberi u gjet i vdekur me një plumb në pjesën e prapme të kokës. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës pohuan dje për gazetën “Albania” se dosja për këtë çështje i është deleguar për veprime të mëtejshme Policisë së Tiranës. Ekspertët e Policisë pritet të përgatisin raportin përfundimtar në funksion të zbardhjes së kësaj ngjarjeje, të cilin më pas do e referojnë në Prokurorinë e Tiranës. Nga të njëjtat burime mësohet se ndihmesë në zbardhjen e ngjarjes, kanë edhe rezultatet e Mjekësisë Ligjore për autopsinë e kufomës së Gani Kamberit, që pritet të dalin ditët e ardhshme. Shtetasi Gani Kamberi, 50 vjeç, u gjet i vdekur në tetorin e vitit të kaluar buzë një përroi në Komunën e Kasharit, pak kilometra larg Tiranës. Ai kishte marrë një plumb pistolete në pjesën e pasme të kokës. Pas ngjarjes, grupi hetimor ngriti dyshimin se në këtë rast bëhej fjalë për një vetëvrasje. Ndërkohë, familjarët e viktimës pretendojnë për një vrasje të mundshme të Gani Kamberit. Nisur nga kjo hipotezë, Prokuroria urdhëroi para disa ditësh zhvarrimin e kufomës së tij për ekzaminime mjeko -ligjore.

Shqipëri - Turqi, do të thellohet bashkëpunimi policor

TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, priti dje në një takim drejtorin e Policisë së Stambollit, z. Celalettin Cerrah, gjatë të cilit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy policive. Zyra e shtypit pranë Policisë së Shtetit bëri të ditur se drejtori i Policisë së Stambollit ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë, me ftesë të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi. Kryekomisar Prençi theksoi në këtë takim se bashkëpunimi ndërmjet dy policive është në nivele shumë të larta dhe Policia e Shtetit është e vendosur për të vazhduar bashkëpunimin me Policinë turke edhe në zhvillimin e projekteve të tjera të binjakëzimit. Prençi vuri në dukje bashkëpunimin ndërmjet Departamenteve të hetimit të krimit, ku një sistem on-line me kryeqytetin e Turqisë, Ankara, bën të mundur kalimin në kohë reale të të dhënave për personat me precedentë penalë. Si një nga veprimet më të suksesshme në këtë drejtim u cilësua arrestimi në Turqi i Alfred Shkurtit (Aldo Bares), i akuzuar për disa vepra penale në Shqipëri. Nisur nga fakti se Stambolli është një metropol dhe një urë lidhëse ndërmjet Azisë dhe Europës, kryekomisar Prençi i propozoi z. Cerrah krijimin e një lidhjeje on-line ndërmjet dy policive, e cila do të mundësonte një luftë më të mirë dhe të shpejtë ndaj krimit të organizuar. Nga ana e tij z. Cerrah theksoi se duhet rritur bashkëpunimi në tri fusha, në luftën kundër terrorizmit, në luftën kundër trafikut të narkotikëve, si dhe në luftën kundër trafiqeve të qenieve njerëzore. Bashkëpunimi policor me Turqinë ka filluar në vitin 1992, ku është firmosur dhe një marrëveshje ndërmjet dy vendeve, e cila ka ardhur duke u rifreskuar. Policia turke ka dhënë një ndihmë të madhe për shkollimin e 85 oficerëve, tashmë të angazhuar në strukturat e Policisë së Shtetit.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›