E Shtunë, 31 Tetor 2026

SFIDAT E BERISHËS



Nga Artan Mullaj

Megjithëse deponimet e lidhur me familjen kryeministrore janë interpretuar e pritur “lagësht”, mund të supozohet se ato përbëjnë një natë eklipsi përmbi shkëlqimin e sukseseve të mëdha të qeverisë që propagandon këto ditë kryeministri në turrin e “premtimeve të mbajtura”.
Duke vozitur në ujëra të rrezikshme, si një njeri i afërt i Berishës, analisti ka zbuluar para pak kohësh rritin dhe mitin kryeministror, deri tani të panjohura, duke qartësuar detaje të rëndësishme të funksionimit të pushtetit familjar në prapaskenë; Mbas intervistave në “Mapo”, dhe në “Zona e Lirë” të zotit Baze, shumëkush mund të besojë, ose së paku të dyshojë se korrupsioni shqiptar zë fill pikërisht atje, në majën e pushtetit.
Perceptimi “FAMILJA” që analisti bën të njohur publikisht, dhe përqasja e këtij përshkrimi me emërtimin “Familja” të perandorisë së mafies italiane, mund të duken të rastësishme por edhe mund të provokojnë njëherazi pëshpërima publike për korrupsion të fshehtë të pushtetit. Meqenëse “tradhtia” vjen pikërisht mbas akuzave të shtuara të pasurive të Berishës dhe familjarëve të tij, pas skandaleve te rrugës Kukës-Morine, pas Gërdecit, pas përkrahjes komprometuese të Sefgjinit, dhe sidomos, pas faktit se denoncuesi ka qenë personazh i rëndësishëm dikur në “Familje”, mund të thuhet se mbi “duart e mëdha e të pastra” të kryeministrit ka filluar të bjerë drita e ftohtë e të vërtetave të hidhura.
Shpërthimi mediatik i analistit të zhgënjyer meriton padyshim një përqendrim më serioz nga analistët dhe opozitarët. Kjo duhet të kish ndodhur. Me ish-të besuarin duken qartë “gjurmët e ujkut!” Sepse, kushdoqofshin arsyet e vërteta të prishjes, pavarësisht nga anon drejtësia, sido që të jetë e vërteta e tenderëve të humbura apo të fituara, deponimet e gazetarit tërheqin vëmendjen për një realitet korruptiv mrekullisht të maskuar, që në rastin më të mirë do të ketë ndikim në grupimet e pavendosura te elektoratit dhe në rastin më të keq, ky realitet, do ti shtohet mallkimit të ambientimit rutinë të historisë së shqiptarëve. Nëse nuk do të elektrizojë një vëmendje të re, “tradhtia ndaj kryeministrit” e gazetarit do të shpërfillet e përcillet rëndom në publikun tonë si ka ndodhur gjithherë me të gjitha çudirat e mëdha paraardhëse.
Por edhe ashtu, edhe kështu, si Bajlozi i një pushteti të konsoliduar dhe organizuar mirë, Berisha sfidon të gjithë dhe të gjitha, sikundër ka ndodhur deri tani.
Edhe pse duken në horizont shëmbëllime veprash antipublike e korruptive, asgjë nuk ndodh dhe kryeministri ynë ka pak gjasa ta prishë terezinë, për më tepër që ai ka zënë një kallo të re të madhe përvoje pas Gërdecit, ku vuajti, rezistoi së fundmi dhe triumfoi simbolikisht.
Sa herë që duket sikur Berishës i bie koburja përdhe,shumë e dinë se kjo është një gjë përkohshme. Kryeministri ringrihet! Kryeministrit i ngrihen njëherësh aksionet. Ai dëshpërohet por edhe lufton ballë çdo realiteti me të vetmen armë që i ka mbetur dhe kjo është aftësia e tij gjeniale për të shfrytëzuar përvojën e gjatë në politikë, me një inerci të admirueshme; shefi demokrat ia ka dale ti shpëtojë situatave të vështira falë kombinimit të përkryer që ai i bën rrjedhjes dashamirëse të kohës me dobësinë sistematike të opozitës dhe publikut. Kjo inerci e shpëtoi atë rastësisht në 97-ën, dhe kjo inerci inteligjente tashmë, kjo përvojë, ky autoritet i betonuar, i kthyer në një instinkt të pamposhtur, vazhdon ti rrokullisë ngjarjet gjithherë në favorin e tij.
Shumë herë pranë skandaleve të akuzave,kryeministri i vendit e ka prekur ylberin e zgjidhjes së situatave gjithnjë në kohën e duhur. I karikuar me energjinë e përvojës së gjatë mes politikës së ashpër në tranzicion, ai i ka dhënë rëndësi maksimale karikimit të pandalur të besnikërisë dhe zgjedhjes së besnikëve në punët e pushtetit. Ky është çelësi i portës së parë të triumfit dhe kjo është diçka e ngjashme me strategjinë e Enver Hoxhës në përzgjedhjen e anëtarëve të byrosë politike, kur naivët viktima ishin gati të votonin edhe marrëzitë më të mëdha. I ashpër, i egër, ironik edhe sfidues për kundërshtarët, doktori i ishdiktatorit, duhet të jetë njohës i mirë i magjisë së imponimit, gjykuar mbi faktin se besnikët e tij janë më shumë se të tillë. Krahasuar me kampin përballë, demokratët janë shumë më të sigurt në kohezionin e aksioneve të tyre, falë kësaj besnikërie dhe falë këtij komunikimi të shëndetshëm; në kampin demokrat bëhet shumë më pak politikë se në kampin socialist, megjithatë socialistët janë në krizë; Edi Ramës i nevojitet impenjim i veçantë dhe kohë e veçantë, që i duhet ta vjedhë nga orët e gjumit, për të ekuilibruar shulmet e përkëdhelura të ambicieve të politikanëve të majtë, përkundrazi, Sali Berisha mund të pijë i qetë çaj kinez ose të hajë fara luledielli ku të dojë edhe kur të dojë;
Duket se kryeministrin tonë e ka pushtuar një flashkim i ri pasionesh në prag të pleqërisë, aq sa me të drejtë shumëkush mund të mendojë se politika në ndërgjegjen e tij ka pushuar së qeni mision dhe është kthyer në një hob hormonndjellës. Ngaqë, sykalimthi, vendi qeveriset keq e më keq nga njëra anë dhe ngaqë shkëlqimtar dhe autoritar më shumë se kurë, kryeministrit i janë rritur aksionet, në anën tjetër(sidomos mbas Gërdecit), mund të supozohet se pasioni i pamposhtur i kreut të qeverisë është përqendruar jo aq në bërjen e detyrës, sa në mposhtjen e kundërshtarëve politikë. (Misioni i bërjes politikë brenda politikës jo për të qeverisur vendin e njëmijë e një halleve, por për të injoruar, ironizuar e mposhtur kundërshtarët dhe kundërshtitë, është, të themi, diçka e ngjashme me pensionistët që gratë i dërgojnë për të blerë qepë e domate në Pazar për të bërë lakrorin; ata luajnë e harrohen e grinden në bilardo tërë ditën e ditës me shokët e tyre).
Në të vërtetë, duket sikur koha dhe inercia zakonisht punojnë për Saliun. Edhe pse ai është një lider që ka funksionuar çuditshëm në hapësira të vështira,ku i ka dalë zot situatave,edhe pse ka një biografi me lavdi të pistë politike,edhe pse herë-herë akuzohet si delirant, i degraduar apo bartës halucinacionesh, edhe pse e quajnë fajtor të 97-ës, fajtor të Gërdecit, fajtor të korrupsionit dhe të varfërisë në vend, lulet e shegës çelin më parë në kopshtin e tij; Politikani verior ka qenë deri tani “Veza magjike e pashkës”, duke i thyer të gjithë të rëndësishmit në përplasjet e ashpra politike të tranzicionit. E la në haresë Ed Selamin, Meksin, Koplikun, Pollon, pikturoi perëndimin e Nanos që herët, mënjanoi Zogajn dhe Mustafain, përjashtoi Ngjelën dhe po e ve në të vështira dita-ditës opozitën sot.
Dhe kryesorja, përjashtoi përfundimisht nga familja, ish-njeriun e afërt të idealeve më të largëta. I janë rritur aksionet jo sepse ka një shtim elektorati në mbështetje të tij, por, përkundrazi, sepse në kushtet e një zhgënjimi total të qytetarëve, bri krizave dhe varfërisë së përditshme, pas katastrofës se Gërdecit dhe skandaleve të korrupsionit, për të cilat askujt nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë, ky pushtet i adënëzuar, duket realisht i sigurt dhe më i parrezikuar se kurrë. I janë rritur aksionet sepse doktori bën gjithnjë e më pak gabime parimore krahasuar me epokën e para 97-ës, kur ishte një politikan ende i virgjër. Edhe pse në dukje intelektshuar, ai i ka zgjidhur situatat e këqija të ditës me marifete të zgjuara dhe është qendra e galaktikës së pushtetit, një pjesë e të cilit, sipas ish të besuarit, menaxhohet tani nga “Familja” dhe nga besnikët. I janë rritur aksionet dhe kjo veç të tjerave, me sa duket edhe për shkak se përveç besnikëve të shtuar në sasi dhe në cilësi, kryeministri ka zgjedhur një ekip këshilltarësh intelektualë të dukshëm dhe të padukshëm, të cilët për fatin e mirë të të gjithëve, duket se ai i dëgjon. I janë rritur aksionet sepse janë regjizuar në mënyrë të tillë shembullore prapaskenat e pushtetit, sa vështirë të depërtojnë atje dritat e medias dhe kureshtja publike.

22 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›