Durrës; Mungon sinjalistika historike
Në mjaft vende historike në rrethin e Durrësit nuk janë vendosur pllakat memoriale për të njohur turistët e shumtë që mbushin çdo ditë rrugët dhe bregdetin. Po ashtu, edhe nëpër udhëkryqe apo vende publike këto pllakate mungojnë aq sa gjatë këtyre ditëve, kur në Durrës kanë zbarkuar me mijëra turistë të huaj, ata e kanë pasur të vështirë në disa raste të gjejnë objektet arkeologjike, duke u pajisur me harta. Edhe përgjatë rrugëve pranë bregut të detit pllakatet historike mungojnë. Kështu nuk është vendosur asnjë lloj memoriali apo pllake metalike në vendin ku Cezari i famshëm u ndesh me Pompeun. Po kështu, një e tillë mungon në rrugën që të shpie ne Arapaj po pranë plazhit ku gjendet një prej afreskeve më të bukura të periudhës ilire. Ndërkohë nëpër kioskat e Durrësit si dhe nëpër agjencitë turistike gjenden vetëm guida turistike apo harta të Durrësit, siç ngjet kudo jashtë vendit. Gjenden libra voluminozë me historinë e qytetit dhe në të njëjtën kohë mungojnë hartat e Durrësit ku të jenë të hedhura objektet historike, ato muzeale, godinat administrative, spitalet dhe ambulancat si dhe vija bregdetare. Nga ana e tyre pronarët e hoteleve dhe të restoranteve gjatë gjithë këtyre viteve nuk kanë bërë gjithçka lidhur me njohjen e Durrësit në guida të thjeshta turistike, duke kursyer para për diçka kaq të nevojshme.