E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brigada e kuqe” Alarm fals për bombë në Rinas

Hetimi / Policia ka mundur të lokalizojë vendin, nga ku është telefonuar

Një telefonatë anonime nga një kabinë pranë Liceut Artistik në kryeqytet, për vendosjen e një bombe nga “Brigadat e kuqe” në terminalin e Rinasit, jo vetëm që ka alarmuar policinë e Tiranës, por ka shkaktuar panik tek pasagjerët e shumtë në pritje të udhëtimit. Pasi gjithçka ka rezultuar e rreme, policia ka shoqëruar katër persona, ku aktualisht po merren në pyetje për të identifikuar autorin e telefonatës

Një telefonatë anonime që lajmëronte vënien e një bombe në ambientet e terminalit të aeroportit kombëtar në vend ka alarmuar jo vetëm policinë, por edhe pasagjerët e shumtë që në atë kohë prisnin fluturimin. Gjithçka ka ndodhur rreth orës 13:30 pas mesditës së djeshme, kur një zë mashkulli, ende i paidentifikuar, i ka thënë policisë se “‘Brigadat e kuqe’ kanë vënë një bombë në aeroportin e Rinasit dhe se së shpejti do të shpërthente”. Ndonëse një ndodhi e tillë nuk ishte e padëgjuar më parë për policinë, termi i “Brigadave të kuqe”, grup terrorist në Itali, ka bërë që situata të mos neglizhohej në asnjë pikë.

Ngjarja është konfirmuar edhe nga të dhëna zyrtare të policisë së Tiranës, sipas të cilave, telefonata anonime është bërë në shërbimin e Sigurisë së Aeroportit Kombëtar “Nënë Tereza”, ndërkohë që menjëherë për në drejtim të tij shkuan shërbimet policore, drejtues të Policisë së Tiranës, shërbimi Antiterror, specialistë Antieksplozivë, ekspertë xhenierë, të cilët morën të gjitha masat, duke koordinuar punën me Policinë Kufitare dhe të Migracionit dhe me shërbimet e tjera të sigurisë nën drejtimin e Komitetit të Sigurisë së Aeroportit, me synim evakuimin e njerëzve të ndodhur në ambientet e brendshme të aeroportit dhe të zonës përreth.

Brenda disa minutave, policia realizoi kontrolle të imtësishme në ambientet e aeroportit, me ekspertë xhenierë dhe Njësinë Antieksploziv, ku pas përfundimit të operacionit të kontrollit, rezultoi se alarmi i mbërritur përmes një telefonate anonime ishte fals.

Pas kësaj, policia tha se strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Tiranës, nga specialistët e Sektorit Kundër Krimeve të Rënda, falë marrjes dhe grumbullimit në kohë të informacioneve, kanë arritur të identifikojnë zonën nga ku është realizuar kjo telefonatë, e cila dyshohet të jetë në “Rrugën e Elbasanit”, në afërsi të Liceut Artistik në Tiranë.

Aktualisht, policia tha se strukturat e hetimit të krimit kanë shoqëruar 4 persona, të cilët janë në procesin e marrjes në pyetje, me qëllim kapjen e autorit të telefonatës së rremë në institucionet e rendit. Nga ana tjetër, mësohet se për zbardhjen e plotë të ngjarjes po punohet intensivisht nga shërbimet e specializuara të Policisë së Shtetit.

Masat

Evakuohet aeroporti, anulohen fluturimet

Menjëherë pas telefonatës anonime për ndodhjen e një bombe në aeroport, forca të shumta policie janë drejtuar për në vend, duke marrë dhe masat e para. Kështu, njësitë antieksploziv kanë nisur nga kontrolli në ambientet e brendshme të terminalit, ndërsa si pasojë ka filluar dhe evakuimi i aeroportit, i cili në ato momente ishte i tejmbushur me turistë vendas e të huaj, që lëvizin si brenda dhe jashtë vendit. Një ndër masat e marra pas telefonatës, ka qenë dhe anulimi i të gjitha fluturimeve. Po kështu, kontrolli me qentë antibombë ka vijuar në çdo skaj të Rinasit.

Policia

Alarmi ishte i rremë, s’ka asnjë bombë

“Alarmi për bombë ka qenë i rremë”. Pas kontrolleve të imtësishme në çdo cep të aeroportit kombëtar “Nënë Tereza”, në orën 15:30, policia e Tiranës deklaroi se në terminal nuk rezulton të ketë asnjë bombë apo lëndë tjetër eksplozive. Pas sinjalizimit për ekzistencën e një bombë në ambientet e aeroportit “Nënë Tereza” në Rinas, menjëherë forcat blu kanë nisur evakuimin e njerëzve dhe personelit për t’iu nënshtruar një kontrolli të imtësishëm. Pas rreth 45 minutash kontroll që nga momenti i dhënies së alarmit, policia ka deklaruar se aeroporti i Rinasit është i sigurt dhe se nuk ka asnjë eksploziv të vënë në të. Deklarata e drejtuesve të policisë ka qetësuar udhëtarët që prisnin jashtë ambienteve të terminalit, ndërsa më pas gjithçka i është kthyer normalitetit dhe rreziku ka kaluar. Disa minuta më vonë, udhëtarët janë kthyer në terminal dhe gjithashtu edhe personeli i aeroportit është duke vazhduar punën normalisht.

Zbulimi

Policia lokalizon kabinën tek Liceu, ku u bë telefonata

Vetëm një orë pas telefonatës anonime në sallën e shërbimit të sigurisë në aeroport, policia e Tiranës ka mundur të lokalizojë vendin nga ku u bë telefonata. Sipas burimeve policore, mësohet se të dhënat e para të ekspertëve thonë se “Brigada e kuqe” ka telefonuar nga një kabinë telefonike, të cilat gjenden në rrugë. Sakaq, gjurmimet e të dhënave paraprake kanë çuar ekspertët në përfundimin se telefonata anonime për vendosjen e alarmit të bombës në Rinas ka qenë pranë Liceut Artistik në kryeqytet. Menjëherë, specialistët e Antikrimit janë nisur për në vend, ndërsa policia ka bërë me dije se aktualisht është duke hetuar për të zbuluar autorin e telefonatës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›