E Hënë, 2 Nëntor 2026

Këndoi shqip në festën e tij,vritet në ditën e lindjes

19/03/2005  Ksenofobia greke i merr jetën emigrantit shqiptar në Athinë

MAMURRAS – Ka dalë për të festuar me miqtë e tij, 26-vjetorin e lindjes, pa e menduar se do të ishin orët e fundit të jetës. Një emigrant shqiptar është vrarë, dy net më parë, nga persona akoma të paidentifikuar, pas një grindjeje në një lokal të kryeqytetit helen. Ilir Frroku, lindur në Rrëshen, i cili vitet e fundit jetonte në Athinë, është përcjellë dje për në banesën e fundit. Morti në familjen Frroku, e cila jeton aktualisht në Mamurras është jo pak i rëndë edhe për burrat e zakonit. Ditëlindja e dita e vdekjes së Ilirit janë në të njëjtën ditë.

Trupi pa jetë i emigrantit është përcjellë dje për në banesën e fundit, nga mijëra banorë, të cilët kishin ardhur të ngushëllonin familjen e tij dhe të afërmit e Ilirit.

Arsyeja e vrasjes, megjithëse akoma nuk është bërë e ditur zyrtarisht, po ashtu si autorët grekë të vrasjes me thikë, dyshohet nga familja se janë vetëm motive ksenofobie. “Dikush” dyshohet se nuk duronte dot që djemtë të këndonin dhe të kërcenin këngë shqiptare në mes të Athinës.

Ditëlindja

Vrasja e Ilir Frrokut ka ndodhur në të gdhirë të datës 16 mars. Një natë më parë, ai kishte ditëlindjen dhe mbushte plot 26 vjeç. Iliri kishte ftuar në këtë gëzim të tij për të festuar së bashku me të edhe emigrantë të tjerë shqiptarë, që punonin në shtetin helen. Ata kanë qenë në lokalin "Kolona", i cili ndodhet në lagjen Filadelfia, në rrugën “Anaksagora 31" të Athinës.

Sipas dëshmisë së dhënë dje nga vëllai i viktimës, Gjovalin Frroku, i cili jetonte së bashku me të vëllanë në kryeqytetin grek, të rinjtë kishin zgjedhur lokal “Kolonat”, duke menduar se aty do të kishin mundësi për të festuar më mirë. Pasi kishin porositur darkën, katër shqiptarët ishin ulur të festonin, në orët e vonë të natës, pas punës së lodhëshme gjatë ditës. Rreth orës 02.00 të natës, pronari i lokalit grek, sipas familjes së të ndjerit, ishte shqetësuar nga të kënduarit shqip me zë të lartë të emigrantëve, si dhe nga vallet tradicionale shqiptare. Kjo ka bërë që ai t’i telefononte truprojave të tij, të cilët nuk kanë vonuar dhe kanë shkuar të shoqëruar edhe nga persona të tjerë në lokal.

Vrasja

Pak momente, pasi kanë hyrë në lokal, grekët kanë filluar të godasin të katër shqiptarët, që po festonin, me mjete të forta, ka dëshmuar dje për gazetën “Metropol” vëllai i Ilir Frrokut. Grekët kanë nxjerrë edhe thikat, duke qëlluar mbi Arben Preçin nga fshati Kodër-Rrëshen, i rrethit të Mirditës dhe Pashk Filipin, nga fshati Batër, i komunës Fan, të rrethit Mirditë. Në këto momente ka ndërhyrë Ilir Frroku, duke i ndarë, por një thikë i është ngulur pas shpinës, në afërsi të veshit, nga një shtetas grek, duke e lënë atë pa ndjenja. Ndërkohë që agresorët të qetë janë larguar nga lokali, duke lënë tre shqiptarët të plagosur rëndë brenda, pa u shqetësuar për pasojat e tyre. Pronari grek ka lajmëruar, sipas të vëllait të viktimës, Gjovalin Frroku, spitalin grek Kat, për të sjellë ambulancën që të merrte të plagosurit, por ajo ka ardhur një orë me vonesë. Hemorragjia në kokë i ka marrë jetën Ilir Frrokut, ndërsa i plagosur rëndë ka mbetur emigranti Arben Preçi, i cili është plagosur me dy thika. Më lehtë është plagosur emigranti Pashk Filipi, i cili ka marrë vetëm një plagë në këmbë. Sipas vëllait të viktimës, nëse ambulanca do të kishte vajtur në kohë mund të kishte shpresa jete për të vëllanë.

Babai Zef Frroku

”Zbardhni vrasjen e tim biri”

Babai i Ilirit, Zef Frroku, 68 vjeç, në mes të ceremonisë mortore ka pranuar që të flasë për gazetën “Metropol”. “Djali im është i pafajshëm, nuk ka vrarë njëri dhe nuk ka bërë asnjë llojë krimi apo incidenti. Unë kërkoj - ka thënë dje ai - nga ana e qeverisë të ndërhyjë për zbardhjen e çështjes pranë shtetit grek, pasi edhe djali im ka qenë me të gjitha dokumentet e rregullta dhe ka punuar ndershmërisht. Unë kërkoj që të ndiqet edhe procesi gjyqësor për të mësuar të vërtetën, por kërkesa ime kryesore është që shteti grek të arrestojë personat që më vranë djalin”.

Dy ditë më parë, kanë qenë të afërmit e Ilirit dhe vëllezërit e tij që kanë sjellë trupin pa jetë pranë familjes për të kryer ceremonitë e fundit mortore. Familja Frroku ka tetë vite që ka ardhur nga Mirdita, duke lënë fshatin Batër dhe duke u vendosur në afërsi të qytetit të Mamurrasit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›