Kënetëzohet toka, rikthehen insektet infektuese
Ndryshimet klimaterike zhvendosin 50 metra vijën bregdetare duke kënetëzuar sipërfaqe të mëdha toke në vend, çka ka sjellë përhapjen e sëmundjeve infektive, si Ethet hemorragjike apo Virusi i Nilit
Ndryshimet klimaterike, efektet negative të të cilave kanë filluar të vihen re edhe në vendin tonë, kanë zhvendosur me 50 metra vijën bregdetare duke kënetëzuar sipërfaqe të mëdha toke. Kjo dalje e detit mbi tokë me një gjatësi mesatare prej 50 metrash, përveçse ka shkatërruar bimësinë dhe bregdetin e shfrytëzueshëm për turizëm, ka risjellë në vend edhe përhapjen e insekteve që përhapin sëmundje infektive. Specialistët thonë se në disa rajone futja e detit në tokë është shumë e madhe, duke kërcënuar seriozisht zonat e banuara. Ky ndryshim gjeografik ka sjellë shfaqjen e mushkonjave dhe sëmundjeve infektive që përhapen përmes këtij insekti, siç janë Ethet hemorragjike apo Virusi i Nilit. Ky i fundit transmetohet nga zogjtë dhe gjithnjë nga njeriu tek njeriu, vetëm nëpërmjet pickimit nga mushkonjat e infektuara. Rastet lidhen me rritjen e madhe të temperaturave si dhe numrin e madh të mushkonjave. Rreth 20% e të infektuarve shfaqin shenja të gripit të zakonshëm, si temperaturë dhe dhimbje muskujsh, ndërsa 80% nuk shfaqin asnjë simptomë. Por, mjekët thonë se ky virus është i rrezikshëm sidomos për grupmoshat mbi 60 vjeç, për arsye se në 1% të rasteve shfaqen simptoma neurologjike të rënda si meningjit, encefalit ose infeksione të tjera me frekuencë të lartë dëmtimesh neurologjike të përkohshme ose të përhershme. Ethet hemorragjike janë një tjetër sëmundje e rëndë infektive që kanë si burim infeksioni kafshët si miu e insektet, veçanërisht nga rriqra. Kjo sëmundje jep temperaturë, ethe dhe hemorragji të brendshme dhe, nëse nuk kurohet me shpejtësi, mund të shkaktojë vdekjen. Në këto kushte, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane, Ministria e Shëndetësisë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë kanë hartuar një strategji për t’iu përshtatur ndryshimeve të pandalshme klimaterike. “Duke pasur një plan të tillë të artikuluar, ne kemi një sistem shëndetësor të orientuar mirë ndaj situatave të veçanta. Ndryshimet klimatike nuk shkojnë në drejtimin e duhur, pra ka një përkeqësim të parametrave, qoftë për problemet që kanë të bëjnë me ndotjen e mjedisit, problemet e cilësisë së ajrit në përgjithësi, problemet e burimeve të ujit të pijshëm në anën tjetër. Probleme të sëmundjeve ngjitëse, të vektorëve transmetues të tyre, se si oksidi i karbonit i shtuar në ajër ndikon drejtpërdrejt mbi shëndet, pra atë që quhet përkeqësim i kombinuar i parametrave klimatikë. Gjithashtu, një pjesë më vete janë edhe ato që kanë të bëjnë me fatkeqësitë e mëdha natyrore”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili. Një ndër elementet kryesore të ndryshimeve klimatike është edhe ndotja, ku parametrat e vendit tonë janë 2 deri në 3 herë më të larta se rekomandimet e BE-së. “Jemi në nivele mjaft të larta. Përmbajtja e grimcave më të vogla, por edhe në qytete të tjera të mëdha, me të dhënat e fundit të katër stacioneve të tjera, është në nivele rreth 2 herë mbi normat e lejuara. Këto jo vetëm janë të rrezikshme, por shkaktojnë rreth 500 vdekje mbi numrin e zakonshëm të vdekjeve”, - thotë Agron Deliu nga Instituti i Shëndetit Publik.
Nga ana tjetër, ndryshimi i klimës ka sjellë dimër të butë, duke favorizuar rritjen e bimëve tropikale edhe në Shqipëri, ndërkohë që luhatja e temperaturave po pëson ndryshime drastike. Të gjitha këto ndryshime si ngrohja ekstreme, thatësira, zjarret, stuhitë, përmbytjet ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e njeriut.