E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sigurimet, skema e re e mbledhjes së kontributeve

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-12-2011 13:09

Qeveria miraton ndryshimet në ligj. Bizneset, përcaktohen rregulla të reja për deklarimin e të punësuarve. Procedurat e pagesave për të gjitha kategoritë

Ndryshon skema e deklarimit dhe mbledhjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, i cili ka miratuar edhe projektligjin e ri të propozuar nga ministri i Financave, Ridvan Bode “Për disa ndryshime e shtesa në ligjin Nr. 9136, datë 11.9.2003, ‘Për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”. Nëpërmjet këtij projektligji, qeveria ka miratuar ndryshimin e 9 neneve të rëndësishme në ligjin e vitit 2003 për mbledhjen e kontributeve, ndërsa ka shfuqizuar vetëm një nen të tij, që ka të bëjë shlyerjen e pagesave dhe gjobave brenda 30 ditëve nga marrja e njoftimit. Sipas skemës së re, dy ditë pas regjistrimit në QKR bizneset duhet të deklarojnë tek Tatimet numrin e të punësuarve. Po kështu, për çdo punonjës të ri, bizneset duhet të deklarojnë tek organet tatimore një ditë para se ai të fillojë punë, ndërsa për çdo të larguar duhet të njoftojnë 10 ditë para ikjes së tij.

Regjistrimi

Sipas ligjit të ri për mbledhjen e kontributeve të detyrueshme të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, personat juridikë dhe fizikë ushtrojnë veprimtari ekonomiko-tregtare vetëm pas regjistrimit të tyre, në përputhje me ligjin Nr. 9723, datë 3.5.2007, “Për Qendrën Kombëtare të Regjistrimit”. Dy ditë pas regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR), personi juridik dhe fizik duhet të deklarojë në organin tatimor listën e të punësuarve me pagën përkatëse, përfshirë dhe listën e punonjësve të papaguar të familjes së personit fizik mbi 16 vjeç, me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht. Ndërsa organizatat jofitimprurëse, entet shtetërore, personat “i vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi ambulant”, si dhe “kryefamiljari, që punëson persona si punëtorë shtëpie”, do të regjistrohen në administratën tatimore, sipas përcaktimeve të ligjit Nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”. Në projektligjin e ri janë përcaktuar edhe rregullat e reja të deklarimit për pagesën e kontributeve. Kështu, ndryshe nga më parë, personi i detyruar për të paguar kontribute, për çdo periudhë, duhet të deklarojë në organet tatimore të dhënat për kontributet në total dhe për çdo individ. “Deklarata për kontributet e subjektit duhet të përmbajë shumën e kontributeve, të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, për t’u paguar, numrin e kontribuesve. Personat që janë të detyruar të paguajnë kontribute deklarojnë në organin tatimor të dhënat sipas formatit të listë-pagesës, ku përveç të tjerash shënohet për çdo person emri e mbiemri, numri personal, paga, shuma e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimeve shëndetësore, si dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, për t’u paguar. Forma, përmbajtja dhe rregullat e deklarimit, në organet tatimore, të kontributeve dhe ndryshimit të numrit të punonjësve, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave”, - thuhet në projektligjin e miratuar. Ndërkaq, sipas ligjit të ri, personi juridik e fizik është i detyruar të deklarojë zyrtarisht në organin tatimor, çdo punonjës që fillon punë për herë të parë te subjekti apo të punësuar rishtazi pranë tij, të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës. Të larguarit nga puna, subjektet duhet t’i deklarojnë zyrtarisht në organin tatimor brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit. Lidhur me rimbursimin e kontributeve të paguara mbi vlerën e duhur, nëse si rezultat i një kontrolli, konstatimi apo vlerësimi shuma e kontributeve të paguara e tejkalon shumën e llogaritur të detyrimit për kontributin, organi përkatës rimburson diferencën sipas rregullave dhe afateve të përcaktuara në ligjin nr.9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.

Më tej janë përcaktuar edhe rregulla të reja për mbajtjen e regjistrimeve nga punëdhënësit. Kështu, ndërsa më parë punëdhënësi duhet ta pajiste punëmarrësin me numrin e sigurimit shoqëror dhe të mbante regjistrime për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara (në të holla ose si përfitime në natyrë) për çdo punëmarrës, tashmë kjo procedurë do të kryhet edhe sipas Kodit të Punës. “Punëdhënësi duhet të mbajë regjistrime për periudhën e marrëdhënieve të punës dhe shumat e paguara në para ose si përfitime në natyrë, për çdo punëmarrës, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe me vendim të Këshillit të Ministrave. Këto regjistrime u vihen në dispozicion punonjësve të autorizuar të administratës tatimore sa herë që kërkohet prej tyre. Tatimpaguesi duhet të vendosë në listë-pagesë numrin personal të çdo punonjësi”, - përcaktohet në projektligj. Veç kësaj, tatimpaguesi i jep çdo punëmarrësi një formular me të dhënat, të ndara sipas muajve, për pagën, kontributet dhe tatimin e paguar gjatë periudhës së punësimit brenda një viti kalendarik.

Afatet e pagesave

Deklarimet e parashikuara dhe pagesa e kontributeve bëhen në afatet e mëposhtme:

a) nga personat juridikë, përjashtuar personat juridikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit pasardhës. Kur pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri si administratorë ose çdo funksion tjetër, trajtohen si çdo punëmarrës tjetër;

b) nga personat fizikë, përjashtuar personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit pasardhës. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes si dhe të punësuarit;

c) nga personat juridikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Kur pronarët e personave juridikë ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri si administratorë ose çdo funksion tjetër, trajtohen si çdo punëmarrës tjetër;

ç) nga personat fizikë të regjistruar si tatimpagues të taksës vendore mbi biznesin e vogël, brenda datës 20 të muajit të parë pas përfundimit të çdo tremujori të vitit kalendarik. Deklarata në këtë rast do të përfshijë personat e vetëpunësuar, punonjësit e papaguar të familjes, si dhe të punësuarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›