E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pavarësi e mbikëqyrur dhe festë e mbikëqyrur

• Andi BejtjaSot Kosova do të varë në mur Kornizën e Pavarësisë me Tablonë e Lirisë, Tablo të cilën që nga mesi i qershorit i viti 1999 e ka mbajtur mbi tavolinë, të pavarur, duke pritur pikërisht këtë ditë që, në fakt, nuk ka ndonjë ndryshim shumë të madh nga 12 qershori i vitit 1999, kur trupat e Aleancës shkelën atje. Ndaj, sot, pavarësisht nga aspekti historik, nuk ka shumë rëndësi varja e tablosë në mur, por mënyra se si do varet: thënë shqip, mënyra se si do festohet. Mund të duket e lehtë, por në fakt është e vështirë, pasi sot shqiptarët kudo që ndodhen, do iu duhet të kontrollojnë emocionet shekullore, që lidhen jo thjesht me një padrejtësi historike, por me lumenj gjaku të derdhur në dekada dhe me sakrifica të panumërta. Megjithëse është festa e tyre, shqiptarët sot nuk e shohin dot veten thjesht në një pasqyrë shqiptare, por një pasqyrë evropiane. Dhe për ta bërë këtë, pikërisht më shumë se kurrë sot shqiptarëve të Kosovës iu duhet t’i kujtojmë pa u ngatërruar në punë dinjiteti, se lirinë nuk e sollën vetë, po ia dhuruan. Gjaku shqiptar dhe genocidet e panumërta në vite, në Tablonë e Lirisë, janë të papërfillshme, në krahasim me njollat e tymit të avionëve të NATO-s apo çizmet e ushtarëve të aleatëve. Eshtë e rëndë të thuhet, por duhet pranuar në të mirë të së ardhmes, se shqiptarët sot nuk mund të festojnë si duan ata vetë, totalisht shqiptarçe, por si ua kërkojnë çliruesit e vërtetë të tyre, që ndoshta për shkak të haresë, sot në këtë ditë feste mund të harrohen se kush janë. Duke mos na shkuar mendja fare tek incidentet e dhunshme, do të ishte katastrofale për imazhin e shqiptarëve kudo në botë, p.sh., që Festa e Pavarësisë të festohej qoftë dhe në atë mënyrë makabre që festohet çdo festë në Tiranë: duke filluar nga Viti i Ri, Nata e Bardhë, Shën Valentini apo deri te ndonjë dasmë me krisma pistolete në fund. Fatkeqësisht apo fatmirësisht, shqiptarët sot do ndodhen përpara një emocioni ndoshta të paprovuar më parë në historinë botërore: që duhet të rrudhin emocionet e tyre shekullore për të mos e festuar Festën e Pavarësisë siç do dëshironin vetë. Dhe kjo ndjesi e çuditshme kombëtare që ata duhet ta injektojnë domosdoshmërish, edhe pse në mënyrë artificiale, nuk mbaron sot. Sot vetëm sa fillon. Të tillë ndjesi do provojnë shqiptarët e Kosovës dhe kur të përulen përpara flamurit të ri të Kosovës, që siç tha me shaka një gazetar iu duket si flamuri i Sport Klub Barcelonës. Të tillë ndjesi do provojnë, ndoshta, për vite me radhë dhe për proceset e tjera shtetformuese në vazhdim. Për nga mënyra se si erdhi liria e Kosovës, sot do të ishte ideale që 2 milionë qytetarët e Kosovës të mos festonin si 2 milionë shqiptarë, por si 2 milionë diplomatë. Kjo është e pamundur të ndodhë, por të paktën të shpresojmë të kemi një festë evropiane, pasi festa e vërtetë shqiptare do të festohet ndoshta disa vite më vonë. Viti nuk dihet, data padyshim po: 28 Nëntor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›