Studentët e gazetarisë në bilancin e vitit
Reportazhet, kronikat dhe shkrimet më të mira të një viti të tërë. Probleme sociale, por edhe tendenca në mënyrën e të jetuarit. Këto janë prurjet e gazetarëve më të rinj, që po rriten në Fakultetin e Histori-Filologjisë në Tiranë. Departamenti i Gazetarisë në UT, organizoi për të dytin vit një aktivitet kushtuar ditës së komunikimit. Studentë, pedagogë dhe specialistë të medias dhe komunikimit, u mblodhën së bashku në aktivitetin "Teknologjia e medias dhe komunikimit", në të cilën studentët prezantuan punimet më të mira të realizuara në atelietë e shtypit, medias televizive, radios dhe kompjuterit. Sipas prof Artan Fugës, shef i departamentit të gazetarisë, aktivitete të tilla promovojnë arritjet e departamentit dhe e bëjnë atë një aktor të rëndësishëm të debatit dhe komunikimit publik. "Gazetari i ardhshëm duhet të mësojë që në bankën e shkollës teorikisht dhe praktikisht të fshehtat e mjeshtërisë që do të ushtrojë. Në këtë mënyrë, ai do të jetë në gjendje të përvetësojë vlerat etike që do ta drejtojnë, të zotërojë ato teknologji të reja, kode e aftësi të cilat ta bëjnë që ai të jetë i gatshëm t'i përgjigjet kërkesave të tregut të punës", - tha më tej ai. Gjatë aktivitetit të djeshëm, krahas gazetës "Reporteri", u prezantua dhe numri i parë i revistës "Komunikimi bashkëkohor midis Shqiptarëve", i përgatitur nga vet studentët. E më tej u ofruan 6 punimet më të mira, emisionet radiofonike, të realizuara nën kujdesin e pedagoges Iris Luarasi, për të vijuar me shkrimet më të mira të "Reporterit", krijimet publicitare dhe prodhimet në atelienë e medias televizive, nën drejtimin e Rajmonda Nelkut. Në përfundim punimet më të mira u vlerësuan dhe me çmime, të cilat u mundësuan nga Instituti Shqiptar i Medias.