E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kentaro Group”, 3 milionë euro dhe 85 perqind te fitimeve

Rudi Vata, në cilësinë e përfaqësuesit të "Kentaro Group", ka kërkuar transparencës pas vendimit të djeshëm të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, për t'ia shitur "RTL Group" të drejtat e transmetimit të Kombëtares shqiptare. Në emër të kompanisë zvicerane, Vata i ka dërguar FSHF-së ofertën prej tre milionë eurosh, e vlefshme për ndeshjet e skuadrave përfaqësuese A dhe të moshave, për meshkuj e femra, për periudhën janar 2008 - maj 2010.
Sipas dokumentit të ofruar nga vetë Vata, "Kentaro Group"
ka ofruar edhe një ndarje 85 me 15 për qind në favor të FSHF-së të të ardhurave nga reklamat në stadiume, ndërsa më vonë, pas arritjes së shifrës së fitimeve 3 milionë e 529 mijë euro nga ana e FSHF-së, ndarja e të ardhurave do të ishte 80/20, përsëri në favor të palës shqiptare. Kjo ofertë është cilësuar si e mirë nga ana e grupit të tenderimit në FSHF, por, sipas burimeve brenda federatës, oferta e bërë nga "RTL Group" ka qenë më e mirë.
"Për sa kohë që nuk dihet sa ka qenë oferta e RTL-së, unë nuk mund ta kundërshtoj vendimin, sepse ata mund të kenë ofruar më tepër, qoftë edhe 10 mijë më shumë nga oferta që unë paraqita në emër të ‘Kentaro Group - thotë Vata. - Por pikërisht këtu e shoh problemin, te mungesa e transparencës, e cila të bën detyrimisht të dyshosh. Ajo që kërkoj unë dhe besoj gjithë pjesëmarrësit e tjerë në tender, është transparencë".
Burimi: Panorama Sport

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›