E Shtunë, 31 Tetor 2026

Këputet linja e tensionit të lartë, zjarr në fabrikën e drurit

SHKODËR/ Linja e tensionit të lartë ka shkaktuar panik tek banorët, zjarrfikësit dhe policia

SHKODËR - Këputja e linjës së tensionit të lartë 6000 kv, ka sjellë zjarr në fabrikën e përpunimit të drurit në Koplik të Malësisë së Madhe, duke shkaktuar një dëm material rreth 200 000 euro. Zjarri ka rënë rreth orës 23:20 të së shtunës në pjesën e magazinës së fabrikës ku kanë qenë të vendosura një sasi e konsiderueshme malli që do të nisej për eksport në Itali, si dhe një makineri e re e pa vënë akoma në punë, e blerë para pak ditësh nga pronari i fabrikës, biznesmeni Sulejman Duli, i cili është dhe nënkryetar i bashkisë së Koplikut. Në momentin e rënies së zjarrit në fabrikë nuk ka pasur persona që punonin dhe ka qenë roja ai që ka dhënë alarmin. Linja e tensionit të lartë kalon mbi pjesën e magazinës së fabrikës, pjesë kjo e veçuar nga i gjithë objekti që shtrihet në një sipërfaqe rreth 25 000 metër katrorë. Magazina ku ka rënë zjarri nuk ka pasur energji elektrike të instaluar brenda në objekt dhe teli i këputur ka rënë në cepin e saj, ku si pasojë dhe e lagështirës është shfaqur zjarri, i cili është përhapur me shpejtësi i ndihmuar dhe nga prania e materialeve prej druri.

Teli i linjës 6000 kv ka rënë në tokë i këputur dhe kjo ka penguar afrimin e zjarrfikëseve pranë vatrës së zjarrit, pasi duke qenë dhe lagështirë ishte e rrezikshme. Vetëm pasi është stakuar energjia elektrike në këtë linjë dhe është larguar kablli i këputur është mundur të afrohet një prej tre mjeteve të angazhuara për shuarjen e këtij zjarri, dy prej tëcilëve kanë ardhur nga Shkodra. Banorë të shumtë të qytetit të Koplikut, drejtues vendorë e familjarë të pronarit Duli kanë qenë të pranishëm dhe janë përpjekur të ndërhyjnë për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit të madh. Policia është përpjekur të mos lejojë afrimin e njerëzve pranë objektit që po digjej, veçanërisht në atë anë ku linja e këputur qëndronte në tokë dhe përbënte rrezik.

Tre zjarrfikëset kanë bërë të mundur që për 1 orë e 15 minuta ta lokalizojnë zjarrin dhe ta shuajnë duke shpëtuar një pjesë të objektit. Pronari i kësaj fabrike mësohet ta ketë nisur aktivitetin e tij 18 vjet më parë, ndërsa kryente eksporte të mobiljeve në Itali. Mësohet se malli i djegur ka qenë i gatshëm për t'u eksportuar dhe kjo do të bëhej në fillim të javës. Bëhet e ditur se ky biznes nuk ka qenë i siguruar dhe aty kanë qenë të punësuar disa persona.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›