Në gjyq punonjësja e gjendjes civile për certifikatën false
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit përfundoi fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të shtetases Arte Danaj, mbi të cilën rëndon vepra penale e "Falsifikimit të akteve të gjendjes civile nga personi që ka për detyrë të lëshojë aktin". Fakti bëhet i ditur nga burimet zyrtare pranë organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë, ku kancelaria e kësaj të fundit, me anë të shortit elektronik ka caktuar gjyqtarin Sokol Tona për gjykimin e dosjes. Sipas kërkesës për gjykim që mban nr. 2232, e pandehura Arte Danaj, me detyrë ish-përgjegjësja e Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Administrative numër 7, ka falsifikuar certifikatën e një emigranteje, duke tentuar t'i bëjë pasaportën pa qenë e pranishme vetë kërkuesja. Mësohet se e pandehura Danaj, këtë vepër penale e ka konsumuar me vetëdije, kundrejt një përfitimi material. Sipas akuzës, e pandehura është hetuar dhe do të gjykohet në gjendje të lirë, për shkak se nuk përbën ndonjë rrezikshmëri shoqërore gjendja e saj e lirë. "Nga hetimet disa mujore është arritur të provohet, se e pandehura Arte Danaj me detyrën si ish-përgjegjëse e Zyrës së Gjendjes Civile të Njësisë Administrative numër 7, ka favorizuar një emigrante, me kërkesën e së cilës ka tentuar të pajisë me pasaportë pa qenë e pranishme vetë kërkuesja. Është provuar se Danaj, me vetëdije të plotë ka falsifikuar gjeneralitetet e shtetases me inicialet X.N. për ta pajisur më pas me certifikatën e lindjes, me të cilën ka tentuar të pajiset me pasaportë. Pas depozitimit të kësaj certifikate bashkë me dokumentet e tjera në polici për tu pajisur me pasaportë, efektivët e policisë kanë konstatuar falsifikimin e certifikatës dhe kanë proceduar penalisht ish-përgjegjësen tashmë Danaj, duke e arrestuar, por, në seancën e vleftësimit të arrestit dhe caktimit të masës së sigurisë, me kërkesë të prokurorisë gjykata e ka lënë të lirë, me masën e sigurisë "detyrim për paraqitje".