E Diel, 1 Nëntor 2026

Këputet spiranca, anija me gaz mes dallgëve

14/02/2005  “Kapo Marina”,rrezikoi përplasjen dhe një katastrofë ekologjike

VLORË – Një anije ka qenë në rrezik të mbytet, gjatë natës midis të shtunës e të dielës, në Vlorë, ndërsa ka qenë e ngarkuar me gaz të lëngshëm.

Gjat natës së kaluar, deti ka qenë shumë i trazuar dhe me dallgë të cilat kanë arritur deri në 6 ball. Si pasoj e dallgëve të të mëdha, të gjitha anijet që kanë qenë të ankoruara në molin e portit dhe që kanë qenë në pritje të shkarkimit të mallit, kanë dalë të gjitha në det të hapur për tu ankoruar, për shkak të frikës së përplasjes së anijeve me njëra-tjetrën, si dhe me molin e portit. Një nga anijet, që ka dalë në det të hapur, ka qenë dhe anija “Kapo Marina”, e një shoqërie italiane që transporton gaz të lëngshëm. Por, rreth mesnatës, kësaj anije i ka shpëtuar spiranca dhe është spostuar nga dallgët e mëdha, të cilat e kanë nxjerrë atë në cektinë, pranë portit detar. Anija “Kapo Marina” për fat të mirë, nuk është tërhequr nga dallgët në thellësi të detit, apo drejt shkëmbinjve të ishullit të Sazanit e gadishullit të Karaburunit.

Në orët e para të mëngjezit të djeshëm, ekuipazhi, me ndihmën dhe të kapitenerisë së portit, kanë bërë të mundur mbas disa orësh, tërheqjen e anijes së ngarkuar me gaz, me një anije tjetër të tonazhit të rëndë, duke e nxjerrë atë sërish në det të hapur. Pas kësaj, është realizuar riparimi i spirancës dhe cimave të anijes.

Sipas burimeve nga kapiteneria, kjo anije rreth një muaj më parë, pasi kishte tentuar të largohej nga porti i Vlorës drejt Italisë me det të trazuar, kishte rrezikuar sërish të mbytej nga dallgët e mëdha dhe deti shumë i trazuar. Për shpëtimin e saj, u desh angazhimi i disa anijeve të rojes bregdetare dhe të flotës, duke e ankoruar me vështirësi në det të hapur.

Precedentët

21 gusht 2004

SARANDË - Në bregdet, në Sarandës, mbytet anija “Antonio”. Mbytja e tragetit me rreth 80 pasagjerë në bordin e tij, ndodhi pas përplasjes me shkëmbinjtë. Nga pyetja e dëshmitarëve, rezultoi se ekuipazhi i anijes “Antonio”, kishte marrë guximin të punonte me një elikë (d.m.th., me një motor). Ndërkohë, pas sinjalit për ndihmë, u bë e mundur shpëtimi i gjithë udhëtarëve.

08 shtator 2004

LEZHË – Peshkarexha “Riviera” ka rrezikuar të mbytet, në orët e vona të mbrëmjes, në afërsi të bregdetit të Shëngjinit. Pas një defekti në helikë, e ngelur në kushtet e moskontrollit rreth 4 milje larg, mes dallgëve, dy peshkatarët kanë dhënë sinjalin SOS dhe pas mëse tre orësh, është bërë i mundur shpëtimi i peshkatarëve dhe nxjerrja e peshkarexhës në breg.

22 tetor 2004

HIMARË – Peshkarexha “Lorela”, me pronar kapitenin e saj Arben Hoxha, rrezikoi të mbytej në afërsi të Himarës, pas përplasjes me shkëmbinjtë, ndërsa në bordin e saj kishte katër marinarë. Njëkohësisht, për shkak të ngarkesës së madhe prej 14 mijë litra karburanti në bord, është shmangur një bombë ekologjike në gjirin e Himarës, me pasoja të paparashikueshme për gjithë zonën.

19 dhjetor 2004

DURRËS – Peshkarexha “Vlora” me tre persona në bordin e saj, pronë e Qemal Harizit (Beu), zhduket në det dhe gjendet disa ditë më pas e mbytur, rreth 17 milje larg nga porti i Durrësit. Peshkarexha 500 tonëshe ishte nisur nga porti i Triestes, drejt Durrësit. Ndërsa peshkarexha, ishte për riparim në Itali, pritej që të përshkonte rreth 600 milje e të mbërrinte në Durrës.

26 dhjetor 2004

VLORË - Anija gjeorgjiane “Mariana”, rrezikoi të mbytej pranë portit të Vlorës. Shpëtimi i saj u bë i mundur pas një operacioni prej tre orësh të Grupit 28 Detar të Marinës ushtarake italiane, e dislokuar në Vlorë. Anija transportonte gaz propan të lëngshëm dhe pasi kishte përfunduar shkarkimin, ishte në pritje të përmirësimit të kushteve të motit, për të rinisur udhëtimin.

Deti i trazuar, ndryshon drejtimin e lundrimit të tyre

Tragetet, tre orë me vonesë në Vlorë

Si pasojë e detit shumë të trazuar, dy tragetet e linjës Brindizi –Vlorë, kanë patur shumë vështirësi në lundrim, duke mbërritur në portin e Vlorës dje, me tre orë vones. Për të mundësuar mbërritjen në Portin e Vlorës, drejtuesit e trageteve bënë të ditur se, ishin detyruar të lundronin duke spostuar lundrimin pranë Korfuzit dhe më pas kanë lundruar në afërsi të bregut, për të shmangur dallgët e mëdha.

Pas mbërritjes së dy trageteve në Portin e Vlorës, u janë dashur dy orë për tu ankoruar dhe zbritur pasagjerët me shumë vështirësi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›