E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbi 100 udhëtarë, 6 orë të bllokuar në Qafën e Malit

14/02/2005  Kosova, 20 tonë ndihma për Tropojën

TIRANË-Përkeqësimi i motit, sërish në veri e verilindje të vendit, ka rikthyer rrezikun e izolimit si edhe problemet me furnizim të mallrave ushqimorë e industrialë. Orteqet e rëna kanë krijuar probleme në qarkullimin e banorëve të këtyre zonave, ndërsa rrugët e bllokuara, kanë krijuar edhe probleme të tjera.

Orteqet bllokojnë udhëtarët në Qafën e Malit

Për rreth 6 orë, mbi 100 udhëtarë kanë mbetur dje të izoluar në Qafën e Malit, pas 7 orteqeve të borës, të rënë njëri pas tjetrit, të cilët bllokuan rrugën. Midis të izoluarve, kishte edhe gra e fëmijë, të cilët, midis të tjerave, ju duhej të përballonin krahas pritjes, edhe reshjet e shiut e erën e ftohtë.

Situata u normalizua, pas ndërhyrjes së 4 borëpastruesve, dy prej të cilave të Ministrisë së Mbrojtjes. Pas hapjes së rrugës, filloi qarkullimi normal i udhëtarëve.

Sipas dëshmive të disa prej tyre, mësohet se, si pasojë e kësaj situate, atyre iu desh që rrugën nga Bajram Curri në Tiranë, t’a bënin për rreth 14 orë.

Përballë kësaj situate, ata shpjegonin se, në rast se do të funksiononte trageti i liqenit të Fierzës, këto probleme nuk do të ndodhnin. Sipas tyre, prej më se dy javësh, trageti i liqenit, që bën edhe lidhjen midis Tropojës e pjesës tjetër të vendit, nuk lëviz, për shkak të kuotave të ulëta të liqenit.

Kosova, 20 tonë ndihmë për Tropojën

Situata e rëndë e krijuar për shkak të motit të ftohtë e reshjeve të borës, ka mundësuar një ndihmë të konsiderueshme në ushqime, të Qeverisë së Kosovës, për banorët e rrethit të Tropojës.

Me kërkesë të deputetit Azgan Haklaj, drejtuar Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, si dhe Kryeminsitrit Ramush Haradinaj, në Bajram Curri, mbërriti ministri në detyrë i Kosovës, Tom Hajdari, i cili shoqëronte një sasi prej rreth 20 tonë mallrash ushqimore. Sipas deputetit Haklaj, mësohet se kjo sasi është planifikuar të shpërndahet për familjet e varfëra, fëmijët jetimë si edhe kopshtet e çerdhet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›