E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Keqkuptimi”, drama e Kamys në skenën teatrore Metropol

E konsideruar si një nga veprat më të bukura të shkruara nga Albert Kamy, drama “Keqkuptimi” do të vijë tre net për publikun në skenën teatrore me regji nga Orjana Cama. Kjo vepër, e cila pritet të vijë para publikut në datat 18,19 dhe 20 janar do të ngjisë në skenë aktorë të njohur, por dhe të rinj, të cilët të udhëhequr nga regjisorja Cama premtojnë për një vepër me vlera artiske në skenën teatrore. Regjisorja pohon se “Keqkuptimi”është një vepër ekzistencialiste nga Albert Kamy. “Kjo është një nga dy dramat e vetme që ka ky autor, i cili është një autor francez. Është një vepër, e cila është shkruar diku nga vitet ‘42 dhe në qendër të vëmendjes është një familje, në një vargmal Tatra në Çeki. Ajo që sjell “Keqkuptimi” tek një vend si ne, është se ne e kemi shqiptarizuar në veprime”, pohon regjisorja mbi veprën. Më tej regjisorja e re Orjana Cama pohon se kjo është një dramë që tregon degjenerimin, shpërbërjen dhe pohimin e qenies njerëzore. “Vetë veprat e Albert Kamysë trajtojnë shoqërinë e absurdit dhe shoqëria për të tjerët është absurde, dhe individi mbyllet brenda kësaj shoqërie në zhguallin e tij dhe ka një moskomunikim mes nënës dhe vajzës, nënës dhe të birit që është akoma më e rëndë, sepse flitet se lidhja mes nënës dhe fëmijës është lidhja më e pashmangshme në botë. Dhe në momentin që nëna nuk arrin ta ndjenjë të birin, do të thotë që deri në çfarë pike ka arritur moskomunikimi dhe ftohja e individit”, tregon regjisorja. Sipas saj, “Keqkuptimi” është një vepër, ku personazhet gjatë gjithë kohës vuajnë dhe janë në kërkim të fatit të tyre dhe janë gjatë gjithë kohës skllevër të fatit të tyre. “Asnjëherë lumturia nuk arrihet kurrë. Vepra është e veçantë, sepse po vihet për herë të parë e plotë, sepse gjithmonë është vënë me tre personazhe, nënën, djalin dhe motrën, ndërsa këtë herë do të vihet me 5 aktorë në skenën teatrore”, përfundon regjisorja. Ka diçka të veçantë që është krijuar nga tradita e Teatrit të Metropolit, pasi data 18 janar, dita e hënë do të jetë shfaqje vetëm për familjarët e aktorëve, data 19 janar dita e martë do të jetë shfaqje për Akademinë e Arteve, studentët dhe pedagogët, ndërsa dita e mërkurë data 20 janar do të jetë shfaqje vetëm për artistë të ftuar nga Teatri Kombëtar. Në dramën “Keqkuptimi” do të interpretojnë: Nëna-Adriana Tolka, Marta- Cubi Metka, Zhani, Arbër Jakllari, Marie Brikena Sinani dhe shërbëtori Idriz Gjokaj. Nëna, Marta dhe Zhani janë tre personazhet shtyllë të veprës, e cila kësaj here vjen e plotë për publikun.

15 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›