Zlatan Ibrahimoviç sfidon Realin
Për skuadrën e Barcelonës do të fillojë të hënën, më 31 gusht në orën 22:00, por Liga Spanjolle, që do të marrë udhë të shtunën, më 29 gusht me ndeshjen Real Madrid - Deportivo La Korunja, me ndeshjen e parë të kampionatit, do të nxehë shpejt motorët. Janë të shumta fytyrat e reja, sidomos në shtëpinë e "Merengersave", ku Fiorentino Perez nuk e ka çarë kokën për shpenzimet, duke sjellë në Madrid Kakanë dhe Kristiano Ronaldon, Ksabi Alonson dhe Karim Benzemanë. Një lojtar i jashtëzakonshëm ka ardhur edhe në Katalonjë. Emri i tij është Zlatan, ndërsa mbiemri Ibrahimoviç. Stadiumi "Kamp Nou" është gati të shkulë flokët për të. Gjatë javës që shënon pagëzimin e tij në kampionatin spanjoll, ka mbetur ende kohë për të folur mbi Interin dhe lojtarin që duhet ta zëvendësojë në qendrën e sulmit të zikaltërve, Samuel Eto‘o. Ibra e njeh mirë vlerën e kamerunasit, por nuk pranon krahasime: "Jemi dy lojtarë të ndryshëm. Ai ka bërë mrekulli me Barcelonën, ndaj mendoj se tifozët nuk do ta harrojnë kurrë. Kemi fituar tre tituj dhe dy Superkupa, edhe unë mund të them se kam bërë punë shumë të mirë tek Interi. Por, e përsëris, nuk krahasohem me të. Kemi karakteristika të ndryshme dhe një mënyrë loje krejtësisht ndryshe. Te Barcelona ai e bëri epokën e tij dhe tani shkoi tek Interi. Tani te bluviolët jam unë dhe kjo është një punë e re, një sfidë e re". Ibrahimoviç nuk i përgënjeshtron kurrë deklaratat e tij dhe në këtë pikë italianët e njohim mirë. Nuk ka frikë nga askush, as nga Real Madridi i Ronaldos dhe Kakasë: "Ata kanë shumë dëshirë t‘iu rikthehen fitoreve, por nuk besoj se janë favoritë në kampionat. Nuk është e mjaftueshme të blesh kampionë, nëse pastaj duhet të shpenzosh shumë kohë për t‘i përshtatur me skemat, edhe pse, në futboll, nuk dihet kurrë se ç‘ndodh me siguri". Kur ishte në Milano, Ibra thoshte se trajneri më i mirë në botë ishte Hoze Murinjo. Tani që ka ndërruar skuadër dhe pati mundësinë të njohë nga afër Guardiolën, sulmuesi suedez peshon edhe një herë aftësitë e ish- lojtarit të Barcelonës. "Ai përfaqëson brezin e ardhshëm të trajnerëve. Ka vetëm një vit në skuadër dhe i ka fituar të gjitha. Po të isha unë në vendin e tij, tani do të isha tërhequr, sepse është e pamundur të bësh më shumë se kaq! Por ai është ende shumë i uritur për të tjera fitore dhe kjo është thelbësore. Guardiola natyrisht që nuk fle mbi dafina dhe dëshiron të fitojë të tjerë tituj", shpjegon Ibrahimoviç