Kërcënimi britanik

Gjatë natës mes të martës dhe të mërkurës një numër i madh i policëve britanikë rrethoi Ambasadën në rrugën Knightsbridge, brenda së cilës tash 56 ditë po qëndron themeluesi i web-faqes WikiLeaks.
E të enjten, para Ambasadës së Ekuadorit në Londër u mblodhën afro 15 përkrahës së Assange, ndërkohë që para saj po mbretëronte një atmosferë e nderë për shkak të kërcënimit të Britanisë së Madhe se policia do të ndërhyjë brenda ambasadës për të arrestuar Assange.
Reporteri i agjencisë Reuters njoftoi se afro 20 pjesëtarë të policisë, që ndodheshin ara ambasadës, larguan me dhunë të paktën tre protestues që po brohorisnin: “Po synoni që të filloni një luftë me Ekuadorin”.
Gjatë një konference me gazetarë, për një synim të tillë të Britanisë të mërkurën foli edhe vetë ministri i Jashtëm ekuadorian, Ricardo Patino, i cili zbuloi disa detaje të letrës që e kishte pranuar përmes Ambasadës së Britanisë së Madhe në Quito. Në letër, autoritetet britanike kërcënojnë se, nëse Assange nuk dorëzohet, forcat policore do të hyjë në Ambasadën ekuadoriane në Londër.
“Ju duhet të jeni të vetëdijshëm se në Britaninë e Madhe ekzistojnë baza ligjore që na lejojnë të ndërmarrim hapa për arrestimin e z. Assange në ndodhjen e tij aktuale – në Ambasadë”, thuhet në letër.
“Na duhet të përsërisim se, ne konsiderojmë që përdorimi i mëtutjeshëm i objekteve diplomatike në këtë mënyrë është i paqëndrueshëm, dhe se nuk është në pajtim me Konventën e Vjenës, prandaj mund të ketë implikime serioze për raportet tona diplomatike”, sqarohej tutje në letër.
Ministri Patino ndërkaq pohoi se Ekuadori i dënon ashpër kërcënimet publike të autoriteteve britanike, dhe se një qëndrim i tillë “është i paprecedent për një shtet që prezantohet si juridikisht i rregulluar, si demokratik dhe si i civilizuar”.
“Nëse ky paralajmërim realizohet, atëherë ky veprim nga ana e Ekuadorit do të cilësohet si i papranueshëm dhe si një akt armiqësor ndaj sovranitetit tonë, duke na detyruar që të përgjigjemi ndaj tij”, tha Patino.
“Ne nuk jemi koloni britanike”, shtoi në fund ai.
Vetëm, një ditë më vonë, Britania e Madhe ia tërhoqi vërejtjen Ekuadorit, se, miratimi eventual i azilit politik për Julian Assange nga ana e shtetit jug-amerikan nuk do të ndryshojë asgjë.
“Dhënia e azilit [për Assange] nuk do të ndryshojë asgjë fundamentalisht”, i tha zëdhënësi i Zyrës së Jashtme Britanike agjencisë Reuters përmes telefonit. Sipas tij, Britania e Madhe e ka obligim ligjor që ta ekstradojë Assange në Suedi, ku do të gjykohet për akuzat për dhunim dhe ngacmim seksual.
Sipas zëdhënësit të Foreign Office, ende është herët të flitet për atë se kur Britania do ta vë në pikëpyetje statusin diplomatik të Ambasadës së Ekuadorit në Londër.
Profesori, Donald Rotwell, nga Universiteti Kombëtar Juridik në Australi, konsideron se qëndrimi i autoriteteve britanik dëshmon për seriozitetin e çështjes së ekstradimit të Assange në Suedi.
“Ambasada ekuadoriane gëzon mbrojtje sipas Nenit 22 të Konventës së Vjenës për raportet diplomatike, të vitit 1961, e cila përjashton mundësinë që autoritete e Britanisë së Madhe të hyjnë brenda ambasadës pa leje”, thotë ai.
“Nëse Britania e Madhe e pezullon këtë mbrojtje dhe hynë në Ambasadë për të arrestuar Assange, atëherë Ekuadori do të mund ta interpretonte këtë veprim si shkelje të së drejtës ndërkombëtare, dhe mund të kërkojë drejtësi para gjykatës ndërkombëtare’, sqaron Rotwell.
Assange, që ka nënshtetësi australiane, tashmë i ka shterur të gjitha mundësitë ligjore në Britaninë e Madhe për të luftuar kundër ekstradimit në Suedi, meqenëse Gjykata Supreme e Britanisë së Madhe ka refuzuar ankesën e tij ndaj vendimit për ekstradim. Ai përballet me arrestim që në momentin kur të braktisë Ambasadën e Ekuadorit.