E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kërcënimi i gabuar me vizat

Kur po mbushet muaji që nga takimi i “krokodilëve” të politikës shqiptare në tokën neutrale të Strasburgut, duket se do të jenë sërisheuropianët që do të marrin vetë në dorë zgjidhjen e krizës shqiptare. Për dikë që e njeh mirë retorikën politike gjatë këtyre muajve të fundit, është e qartë se gjetja e një kompromisi mes të dyja palëve kur arritja e tij do të thotë fundi i alibisë së njërës palë, nuk do të jetë i lehtë. Të paktën nuk mund të arrihet nëpërmjet një darke miqësore apo shtrëngimeve zyrtare të duarve në një tryezë të përbashkët presidenciale. Mesa duket, ndërkombëtarët nuk duan ta përtypin këtë “patate të nxehtë” që u gatuan kuzhinierët e politikës shqiptare dhe do të vazhdojnë të insistojnë në ndërhyrjet e tyre, tashmë edhe më të ashpra.
Impenjimi i Europës në këtë sfidë ku është në lojë reputacioni diplomatik i saj, duket se do të finalizohet me atë kërcënim që po sillet vërdallë kokave tona prej disa javësh: nëse nuk gjendet paqja, Brukseli do të “ngrijë” hapat integrues të vendit si dhe procesin e liberalizimit të vizave. Në fund të fundit kjo është arma më e fortë që mund të përdorë administrata europiane për të detyruar politikën shqiptare për të gjetur një zgjidhje të ngërçit politik me synimin për t’i hapur rrugë reformave dhe mirëqeverisjes. Ndërhyrja e Brukselit legjitimohet pikërisht tek ky synim për të përmirësuar qeverisjen e vendit dhe në këtë mënyrë rritjen e mirëqenies dhe lirive të shqiptarëve. Pra gjithçka bëhet në të mirën e qytetarëve shqiptarë.
Por a mund të japë rezultate pozitive kjo politikë bllokuese e institucioneve europiane kur ata që do të ndëshkohen do të jenë vetë qytetarët më tepër se politikanët? Ka disa arsye që e bëjnë të lëkundshme rrugën e kërcënimit që po imponojnë institucionet europiane.

1-Bllokimi i vizave mund të izolojë më tepër shqiptarët në krahasim me popujt e tjerë të rajonit, duke e dëmtuar mirëqenien e tyre.
2-Duke qenë të refuzuar nga Europa, qytetarët mund ta humbasin atë mbështetje të palëkundur që kanë pasur deri më sot drejt integrimit europian.
3-Politika e bllokimit të vizave mund të krijojë disa mundësi për ndryshim, por nuk jep ndonjë garanci për ndryshimin.

Nëse dy pikat e para mund të jenë më subjektive për shqiptarët sesa për europianët, pika e fundit është ajo ku institucionet europiane duhet të ndalen pak më gjatë përpara se të veprojnë. Strategjia e zgjedhur nga Brukseli bazohet pikërisht tek argumenti i logjikshëm se nëse qeveria do të dështojë në premtimin e liberalizimit të vizave dhe integrimin e shpejtë të vendit, atëherë qytetarët do ta dënojnë atë me votë kundër në zgjedhjet e ardhshme. Por, nuk duhet harruar se në këtë pikë kritike ne kemi arritur pikërisht për shkak të humbjes së besimit në procesin zgjedhor të organizuar dhe cenuar nga vetë politika. Deri më sot procesi i zgjedhjeve është ndërtuar mbi kontrollin reciprok të komisionerëve të një partie nga partia tjetër rivale. Provat e deritanishme të sjella nga opozita shqiptare, na kanë dëshmuar se në ato qendra votimi ku ky kontroll i dyanshëm nuk ka funksionuar, procesi ka çaluar dhe kanë lindur edhe manipulime me votën e qytetarëve. Pra, deri më sot, shqiptarët mund të kenë dashur të ndryshojnë politikanët që i drejtojnë edhe pa këtë ndërhyrje të Brukselit, por procesi zgjedhor, i cili i është lënë në dorë politikës dhe jo teknikëve të pavarur apo aparaturave elektronike, nuk ka garantuar leximin e duhur të votës së tyre. Pikërisht në këtë pikë, tek sigurimi i një procesi zgjedhor të besueshëm dhe të padëmtuar nga politika e të dyja krahëve, ky bllokim vizash nga BE nuk mund të sjellë garanci për ndryshimin e pritur.
Sigurisht që përgjegjësia kryesore për organizimin e zgjedhjeve të lira, i takon maxhorancës qeverisëse. Kur qeveria i takson qytetarët e saj, ajo ka për detyrë t’u sigurojë atyre disa përfitime duke filluar që nga shërbimet, përgjegjshmëri dhe qeverisje të mirë, duke përfunduar me lirinë dhe përfaqësimin. Kjo marrëveshje reciproke taksim dhe përfaqësim, është ajo që i jep qeverive legjitimitetin në botën moderne. Nëse do të vazhdojmë më tej këtë ide klasike të funksionimit të shtetit, nëse politika nuk i plotëson standardet e premtuara, ajo ndëshkohet me votë nga qytetarët e saj. Pra, një herë në katër vite, votuesit “lajnë hesapet” me qeverinë e tyre të papërgjegjshme duke synuar në ardhjen në pushtet të opozitës, e cila të përmirësojë mirëqenien e tyre.
Këto marrëdhënie interesi, mbajnë në këmbë prej shekujsh ngrehinat shtetërore të demokracive euroatlantike. çdo demokraci europiane e di mjaft mirë se mund të ndëshkohet nëpërmjet zgjedhjeve të ardhshme nga qytetarët. Por, problemi tek zgjedhjet shqiptare qëndron në faktin se standardet e tyre dëmtohen nga të dyja krahët e politikës, si nga maxhoranca dhe nga opozita dhe këtë e pranojnë edhe vetë politikanët si majtas ashtu edhe djathtas. Mjafton të kujtojmë zgjedhjet e vitit 1996, 2001 apo mesa duket edhe ato të 2009, dhe mund të kuptohet se rezultati i votimit nuk është përcaktuar nga preferenca apo vlerësimi i elektoratit.
Në të gjitha këto procese elektorale nuk ka qenë vullneti i qytetarëve që ka përcaktuar fituesin dhe kjo na ka sjellë në situatën që ndodhemi edhe sot. Politikanët nuk janë përpjekur për zbatimin e kontratës universale “taksim-përfaqësim-mirëqenie” sepse suksesi i fitores së tyre nuk është parë tek votuesit, por tek muskujt e komisionerëve militantë apo sistemi elektoral i zgjedhur. Mund të duket pak i ekzagjeruar ky përfundim, por provat e kësaj situate mund të shihen në disa fakte. Për shembull, maxhoranca nuk “skuqet” përpara mosrealizimit të premtimeve të saj elektorale me 24 orë furnizim me ujë e drita apo hapje të 200 mijë vendeve të reja pune. Po kështu, opozita socialiste ndoqi të njëjtën taktikë dhe nuk e quajti të nevojshme të hartonte një program të saj elektoral për t’ia paraqitur publikut përpara zgjedhjeve të 28 qershorit 2009. U paraqit një dosje me njëmijë faqe, por brendia e saj nuk u bë kurrë publike me argumentin se “njerëzit nuk i lexojnë asnjëherë programet”.
Ky arsyetim për zvetënimin e votës së qytetarit, shpjegon gjithashtu se përse partitë i janë larguar gjithnjë e më tepër probleme të ditës të zgjedhësit shqiptar dhe i kanë matur sukseset e tyre me notat pozitive apo negative të deklaratave dhe raporteve të Brukselit. Rolet janë ngatërruar keqazi dhe politikanët shqiptarë kujdesen e japin llogari përpara Brukselit dhe jo para zgjedhësve të tyre. Në këtë realitet artificial, europianët kanë vazhduar të përdorin gabimisht të njëjtat taktika diplomatike, deklarata “edhe kështu, edhe ashtu” siç ishte edhe rasti i raportit të OSBE për zgjedhjet, i cili edhe shpreh mungesë parregullsish edhe shënon numërimin e keq në 1/3 e zonave. Një qëndrim i kujdesshëm që nuk e ka ndihmuar aspak zgjidhjen e krizës shqiptare gjatë këtyre 12 muajve.
Pikërisht në javët e fundit, zyrtarët europianë po synojnë që të marrin më seriozisht çështjen shqiptare duke tentuar të përfshijnë në fushën e lojës edhe një lojtar të nëpërkëmbur nga politika, qytetarin shqiptar. Sigurisht duke i bllokuar atij mundësinë për të lëvizur pa viza, por duke synuar që t’i japin një shtytje të mëtejshme për të marrë në dorë fatin e tij. Por nëse do të jetë e ndershme me këtë qytetar, Europa duhet t’i servirë atij garancitë e duhura që vota e tij nuk do të deformohet nga politika. Nëse kjo garanci mund të arrihet nga hetimi i zgjedhjeve të shkuara, ashtu siç mendojnë socialistët, Brukseli duhet ta thotë hapur edhe këtë. Nëse zyrtarët e BE-së njohin një eksperiencë tjetër ku sistemi zgjedhor të mbrohet nga “orekset” e politikanëve tanë, edhe kjo duhet provuar në Shqipëri.
Tashmë, Europa duhet të kuptojë se duhet të flasë hapur mbi detyrat dhe përgjegjësitë e gjithsecilit në këtë krizë. Të lërë mënjanë për pak kohë deklaratat diplomatike ku përgjegjësia është e përbashkët mes maxhorancës dhe opozitës. Rrjedhoja e kësaj strategjie të kujdesshme të Europës është edhe fakti që secila nga palët e shikon fajin tek tjetra dhe në këtë mënyrë zgjidhja nuk arrihet. Nëse faji për krizën do të mbetet i të dyja palëve, por njëkohësisht i asnjërës prej tyre, atëherë kriza dhe bllokimi i lëvizjes së lirë për qytetarin shqiptar mund të vazhdojë edhe për shumë vite të tjerë pa sjellë një rezultat pozitiv. Në rrezik këtë herë nuk është vetëm integrimi europian, por edhe stabiliteti dhe ekonomia e vendit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›