“Rama, përpjekje të mbrapshta për të penguar vizat dhe integrimin”
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Ilir Meta
Kryediplomati shqiptar Ilir Meta deklaron se askush nuk do ia dalë të pengojë proceset e integrimit të Shqipërisë. Duke komentuar deklaratat e kryetarit të socialistëve se integrimi dhe liberalizimi i vizave po mbahen peng nga mazhoranca qeverisëse, zv/kryeministri dhe ministri i Jashtëm Meta tha se është vetë Rama, ai që po përpiqet të cenojë progresin e Shqipërisë drejt aspiratave të integrimit.
“Përpjekjet e Edi Ramës për të penguar proceset integruese të vendit janë shumë të gabuara sepse është i vetmi rast në botë që për gati një vit opozita nuk ka dhënë asnjë kontribut pozitiv në drejtim të proceseve integruese. Ka gati një vit që opozita nuk ka votuar për asnjë ligj, nuk ka dhënë asnjë kontribut për asnjë nga kërkesat e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave dhe përpjekjet e saj për të lobuar edhe me elementë, do të thosha aspak kredibël, për të dëmtuar imazhin e vendit, thjesht për qëllime të ngushta dhe të mbrapshta personale dhe politike janë mjaft të gabuara”, u shpreh Zëvendëskryeministri Meta.
Ai kujtoi se shqiptarët janë të interesuar që Shqipëria të jetë pjesë e BE-së në një të ardhme të afërt dhe jo të shqetësohen për interesat personale të një të dështuari politik, i cili krizën e tij personale kërkon ta faturojë te të tjerët.
“Shqiptarëve, pavarësisht se çfarë janë, socialistë apo demokratë, apo janë pa parti, në radhë të parë u intereson që Shqipëria të ecë përpara, u intereson që të hiqen vizat dhe të gjitha pengesat me Bashkimin Evropian dhe vendet e tjera, u intereson që të gjitha forcat politike të bëjnë detyrën e tyre për të plotësuar këtë aspiratë kombëtare. Ndërsa këto përpjekje destruktive, shpresoj që të marrin fund dhe duhet të ketë një sjellje të përgjegjshme, një sjellje europiane, në raport me ato kërkesa dhe rekomandime që janë bërë, tha Meta.
Ministri i Jashtëm, shtoi gjithashtu se “kriza që krijohet në mënyrë artificiale, nuk mundet të faturohet te të tjerët, ndërkohë që të gjitha zgjidhjet edhe alternativat, Rama i ka pasur prej kohësh të paraqitura edhe nga ana e mazhorancës, të paraqitura dhe nga ana e përfaqësuesve të komunitetit ndërkombëtar të cilat kërkojnë një zgjidhje transparente në respekt të Kushtetutës.