E Diel, 1 Nëntor 2026

Sherr në lokal, vritet babai i tre fëmijëve

DURRËS/ Grindja mes autorit dhe viktimës ka nisur pas pushimit nga puna si shofer i një shtetasi


DURRËS - Një sherr i nisur disa ditë më parë ka përfunduar me plagosjen e më tej vdekjen e një 32-vjeçari, baba të tre fëmijëve. Artan Zeka ka ndërruar jetë pas një operacioni që ka zgjatur rreth katër orë në spitalin e Durrësit, pasi plumbi i shkrepur nga një 45-vjeçar e ka goditur në mëlçi e veshkë.


Lidhur me ngjarjen burimet zyrtare të policisë u shprehën se autori dhe viktima ishin grindur lidhur me simbolet partiake, ndërsa burime nga vendngjarja shprehen se Skënder Balla ishte rrahur mëngjesin e djeshëm nga një grup prej katër personash, mes të cilëve edhe viktima e tij 32-vjeçar.


Ngjarja ka ndodhur në një lokal pranë një qendre elektorale të fshatit Qerret. Sipas policisë, ka qenë ora rreth 9:00 e mëngjesit të së premtes kur Skënder Balla dhe Artan Zeka janë grindur me njëri-tjetrin me fjalë fyese. Mësohet se 45-vjeçari Balla ka përdorur fjalë të rënda kundër PD-së, aktivist i së cilës ishte Zeka. Pas grindjes, 45-vjeçari është larguar dhe është rikthyer me një armë automatike.


Në kohën që ka qenë në një distancë rreth 10 metra, ai ka qëlluar në drejtim të Zekës duke e plagosur rëndë. 32-vjeçari ka marrë tre plagë të rënda në zonën e barkut. Ai u transportua me urgjencë për në spital ku iu nënshtrua për katër orë një operacioni. Por ai ndërroi jetë pa mundur të transportohej në Itali. Ndërkohë policia arriti të vinte në pranga autorin 45-vjeçar Skënder Balla.

Në vendngjarje policia gjeti rreth 14 copë predha të kalibrit 7.62 mm dhe gëzhoja si brenda lokalit, ashtu dhe jashtë tij. Ekspertët mjeko-ligjorë që bënë këqyrjen e kufomës konstatuan se vdekja e 32-vjeçarit kishte ardhur si pasojë e hemorragjisë së madhe që i kishin shkaktuar 3 plagët, pasi goditjet i kishte marrë në veshka dhe në mëlçi.


Pas një operacioni që ka zgjatur rreth 4 orë, mjekët kërkonin që të arrinin medoemos që i riu të rikuperohej sadopak, pasi autoritetet kishin kërkuar të bëhej gati një avion transporti për ta dërguar në Itali për kurim në spitalet e specializuara. Por trupi i viktimës 32-vjeçar nuk i ka rezistuar plagëve të hapura dhe ka ndërruar jetë rreth orës 13:30.

Sipas burimeve zyrtare të policisë, autori i ngjarjes, Skënder Balla, dyshohet si autor i një tjetër vrasjeje, ngjarje që ka ndodhur në vitin 2003. Burime nga policia e Durrësit u shprehën se po punonin për dokumentimin e ngjarjes ku 45-vjeçari dyshohej si autor. Ndërkohë, akuzat e ngritura ndaj Ballës janë "vrasje me paramendim" dhe "armëmbajtje pa leje".

Dëshmitarët: Balla u fye dhe u rrah nga viktima


I marrë në pyetje nga oficerët e policisë gjyqësore, Skënder Balla e ka mohuar faktin që vrasjen ta ketë kryer për ndonjë motiv politik.


Ai ka rrëfyer se konflikti me viktimën ka nisur pas pushimit nga puna të një kushëriri të tij pak kohë më parë, i cili sipas 45-vjeçarit, është pushuar nga strukturat e PD-së. Gjithashtu, banorë të fshatit Qerret thonë se në orët e para të mëngjesit të së premtes, Balla është fyer dhe rrahur nga katër persona në afërsi të lokalit ku ndodhi ngjarja.


Mes personave që e kanë qëlluar mësohet të ketë qenë edhe vetë viktima Artan Zeka. Pas kësaj, sipas banorëve, Balla ka shkuar në shtëpi ku ka marrë armën që e ka pasur pa leje dhe ka qëlluar kundër personave që ndodheshin në lokal dhe që e kishin dhunuar.


Më pas ai është dorëzuar. Sharjet që janë bërë kundër PD-së gjatë konfliktit, sipas dëshmitarëve në vendngjarje, kishin lidhje me faktin se kushëriri i autorit ishte pushuar nga puna si shofer prej eksponentëve të PD-së. Kjo gjë ka bërë që konflikti të shoqërohet me sharje politike. Ndërkohë mësohet se Balla ka deklaruar në polici se nuk kishte qenë kurrë anëtar i PS-së.

--------------------------------------------------------------------------------------------------------------

Berisha:


I shpreh ngushëllimet e tij më të thella familjes së 32-vjeçarit Artan Zeka, babait të tre fëmijëve, që humbi tragjikisht jetën nga një dorë kriminale.


U bëj thirrje të gjithë anëtarëve dhe militantëve të partive politike të distancohen nga aktet kriminale dhe të përkushtohen në një fushatë zgjedhore të denjë për njerëz të lirë.


U bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të ruajnë gjakftohtësinë dhe vetëpërmbajtjen dhe kërkoj me forcë zbatimin e plotë të ligjit mbi autorin e këtij akti kriminal.


Rama:


Shpreh keqardhjen e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta familjes së viktimës për këtë ngjarje tragjike, që është ndodhi për botën e tretë, dhe jo për një vend që është pjesë e Evropës dhe do të integrohet në BE, siç është Shqipëria.


Në të njëjtën kohë, kërkojmë dënimin maksimal të autorit, duke nënvizuar me forcë se nuk ka asnjë lidhje me Partinë Socialiste dhe se përfshirja e emrit të Partisë Socialiste në këtë ngjarje, është një spekulim i ulët që ne e refuzojmë me përbuzje.

Ministrja Godo në spitalin e Durrësit


Pas shtrimit të Zekës, në spitalin e Durrësit ka mbërritur edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Ndërkohë, Ferdinand Xhaferri, kandidat e PD-së, pasi vizitoi të riun që ndodhej ende në gjendje të rëndë, e cilësoi ngjarjen si tregues të mentalitetit të krahut të majtë të politikës shqiptare.

Në spital kanë qëndruar deri në fund së bashku me kandidatin per deputet edhe prefekti i Durrësit Klodian Pajuni dhe Kryetari i PD-së, Igli Cara, që e cilësuan këtë rast si të paprecedent dhe si mjaft të rëndë.


Ndërkohë, në një bisedë telefonike për "Shekulli"-n, sekretari rajonal i PS-së për Rrethin e Durrësit, Gazmir Bizhga, deklaroi se shpreh keqardhjen për këtë incident të rëndë për familjen e të ndjerit dhe më pas kërkoi të sqarojë se Skënder Balla nuk ka qenë kurrë pjesë e strukturave të PS-së dhe as që është njohur si veprimtar i saj.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›